Austria planifikon 1 miliard euro shtesë për t’i ndihmuar bizneset e prekura

Prishtinë | 19 Dhj 2020 | 13:41 | Nga Ekonomia Online

Ministri austriak i Financave, Gernot Blümel, ka thënë se vendi i tij pret që t’i ndajë rreth 1 miliard euro shtesë për t’i përkrahur bizneset që janë goditur nga pandemia e koronavirusit.

Austria do të futet në izolimin e tretë pas Krishtlindjeve, ndërsa personat që testohen do të lirohen më shpejt nga masat kufizuese, bëri të ditur të premten qeveria austriake.

Masat e reja të izolimit vijnë vetëm 11 ditë pas përfundimit të izolimit të dytë, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Ministri i Financave njofti se kompanitë në nëntor dhe dhjetor kanë paraqitur mbi 120.000 kërkesa për kompensim të dëmit prej 2.2 miliardë eurosh që u është shkaktuar si rezultat i izolimit. Nga kjo shumë, 1.8 miliard euro tashmë janë paguar.

Afati i skemës ndihmëse do të zgjatet deri në fund të vitit për një kosto prej 300 milionë eurosh për ndihma të drejtpërdrejta. Qeveria është gjithashtu duke punuar për një pako ndihmëse për kompanitë që janë prekur nga pandemia në mënyrë të tërthortë.

“Në përgjithësi, presim një kosto prej afërsisht 1 miliard eurosh”, tha ky ministër në një konferencë për gazetarë.

Faza e re e izolimit në Austri do të fillojë më 26 dhjetor dhe do të jetë në fuqi deri më 18 janar. Gjatë kësaj periudhe do të mbyllen dyqanet, restorantet, tetrot, muzetë dhe shkollat.

Austria gjithashtu do të vendosë kërkesë për karantinë gjatë sezonit të pushimeve për pothuajse të gjitha vendet e Evropës. Kjo masë po shihet si përpjekje për t’i parandaluar vizitat e skitarëve nga vendet fqinje.

Të ngjashme