Autoriteti i Konkurrencës së Kosovës fillon hetim për Telekomin e Serbisë

Prishtinë | 05 Dhj 2022 | 13:02 | Nga Ekonomia Online

Autoriteti i Konkurrencës i Republikës së Kosovës ka njoftuar se ka nisur hetimin ndaj Telekomit Mobil të Serbisë MTS D.O.O.

Përmes një njoftimit për media, ky autoritet ka bërë të ditur se Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës ka nxjerr Konkluzion për fillimin e procedurës kundër ndërmarrjes MTS D.O.O.

Ka thënë se autoriteti ka analizuar kushtet e tregut të konkurrencës, dhe duke vepruar sipas detyrës zyrtare, ka zhvilluar shqyrtimin paraprak të vlerësimit të përqendrimit, lidhur me dyshimin e arsyeshëm se ndërmarrja MTS D.O.O. (Telekomi Mobil i Serbisë), e cila operon në tregun përkatës, të ofrimit të shërbimeve të internetit dhe atë kabllor në territorin e Republikës së Kosovës, ka realizuar shitblerje të aksioneve në tregun përkatës, duke fituar kontrollin mbi ndërmarrjet tjera, për të cilat përmbushet detyrimi ligjor për njoftimin e përqendrimit sipas ligjit për mbrojtjen e konkurrencës.

“Autoriteti njofton se, Transaksionet/blerjet nëse janë realizuar, pa e dorëzuar njoftimin e detyrueshëm për qëllimin e përqendrimit sipas Ligjit 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës, paraqet formë të kufizimit ose shtrembërimit të konkurrencës nga ndërmarrjet në territorin e Republikës së Kosovës ose jashtë territorit, nëse veprimet e tyre kanë efekt në tregun e Republikës së Kosovës. Kontrolli i bashkimeve synon të parandalojë shtrembërimet e konkurrencës dhe synon të parandalojë efektet antikonkurruese përpara se ato të ndodhin (ex ante)”, thuhet në njoftim.

Autoriteti ka njoftuar se fillimi i procedurës për hetimin e çrregullimit të konkurrencës, ka për qëllim sqarimin e fakteve dhe në këtë mënyrë vërtetimin e shkeljes së pretenduar.

“AKRK do të marrë vendimin e saj meritor bazuar në faktet e vërtetuara të rastit dhe do të mbajë të informuar opinionin dhe qytetarët të cilët marrin shërbime nga ndërmarrja MTS D.O.O”, thuhet tutje në njoftim.

Të ngjashme