Avokati Berisha i ashpër pas vendimit për rastin “Stenta 2”: Sot kërkim falja është pak, ndëshkimi domosdoshmëri

Prishtinë | 20 Sht 2023 | 20:03 | Nga Ekonomia Online

Avokati Besnik Berisha ka reaguar pas aktgjykimit lirues të Gjykatës Themelore të Prishtinës ndaj mjekëve të akuzuar në rastin e njohur ‘Stenta 2’. Berisha është shprehur i ashpër për siç tha ai, krimin që është kryer ndaj mjekëve në këtë rast.

Me anë të një postimi në ‘Facebook’, Berisha ka kërkuar ndëshkimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, teksa ka shkruar se sot kërkim falja është pak.

“Në këtë rast vlenë ajo që unë e kam thënë disa herë ndër vite: Krim kreu prokuroria e jo mjekësia!

Sot do duhej të ndihen të turpëruar të gjithë ata që i kontribuuan krimit të kryer ndaj mantilbardhëve.

Sot kërkim falja është pak, ndëshkimi është domosdoshmëri!“, ka shkruar Berisha.

Ndryshe, 36 mjekët janë liruar nga akuza pasi nuk është provuar që kanë kryer veprat penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘Marrje ryshfeti’

Mjekët e përfshirë në këtë rast, ngarkoheshin me akuzën se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, pasi pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucionet publike shëndetësore, i kanë referuar në dy spitale private në vend të Klinikës së Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar.

Në ketë çështje penale, hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizikë dhe 4 personave juridikë. Mirëpo, për 56 persona nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.

Të ngjashme