Janë rreth 8 projekte madhore që përfshijnë zona të mëdha të Mitrovicës, të cilat KEDS-i i ka përfunduar gjatë vitit 2015 në këtë rajon.
Projekte të tjera të rëndësisë së njëjtë janë shtrirë edhe gjatë vitit 2016, siç janë tek blloqet “Haxhijajt”, “Bashkimi 1 dhe 2”, Shipol, Vaganicë e Koshtovë, të cilat kanë përfunduar ose janë në përfundim e sipër.
Zëdhënës i KEDS-it, Viktor Buzhala thotë se të tilla projekte investive për rajonin e Mitrovicës do të vazhdojnë edhe gjatë këtij viti.
“Të gjitha projektet në fjalë nga KEDS kanë ardhur sipas planit të paraparë dhe zotimeve fillestare të kësaj Kompanie, pra të cilësisë dhe standardeve të larta europiane. Zotimi ynë është të jemi sa më afër konsumatorëve anë e kënd territorit te vendit, e në këtë kuadër janë edhe këto që janë shtrirë në Mitrovicë gjatë viteve 2015 dhe 2016. Mund të konfirmojë se projekte të rëndësisë së njëjtë nga KEDS-i do të vazhdojnë edhe përgjatë këtij viti”, ka deklaruar Buzhala.
Të gjitha investimet kanë ndikuar në rritjen e cilësisë dhe kualitetit të energjisë në Mitrovicë. Investimet dhe projektet në fjalë kanë ndikuar dukshëm edhe në uljen e rrezikut ndaj ekspozimit të qytetarëve në rrjetin e vjetruar që ka qenë.
I kënaqur me punën që KEDS ka bërë për Mitrovicën del të jetë edhe kryetari i kësaj komune Agim Bahtiri. Në bazë të bashkëpunimit të mirë që komuna e tij ka me KEDS-in, Bahtiri thotë se investime të tilla mëse të nevojshme për qytetarët e tij, do të vazhdojnë edhe më tutje.
“Çdo investim i cili bëhet në komunën e Mitrovicës është i mirëseardhur nga ne. Ne kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me KEDS-in ku kemi siguruar në masë të madhe, një rrjet të ri energjetik dhe çka na gëzon fakti edhe më shumë se, kemi siguruar trafo-stacionin me kapacitet prej 110/10 kilo-volt, gjë e cila do të realizohet në këtë vit, pra në 2017. Përgjithësisht, kemi një bashkëpunim të shëndoshë, ku e gjithë dobia shkon në favor të qytetarëve tonë, pra konsumatorëve”, deklaroi Bahtiri.
Zëdhënësi i KEDS-it, thotë se kompania ka treguar vëmendje me investimet e veta edhe ndaj ekonomive familjare e edhe atyre biznesore.
“Investimet tona ndjehen edhe tek ekonomitë familjare por edhe tek ato komerciale”, përfundon Buzhala.
Gjatë këtij viti në Mitrovicë KEDS do të shtrijë projekte investive edhe në Kqiq, Zhabar, Turiqevc dhe zona të tjera.