Bahtiri thotë se LVV ka plan për veriun e Kosovës, refuzon skenarët e përmendur në “non paper”

Prishtinë | 28 Pri 2021 | 21:24 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri ka thënë se skenarët e përmendur në “non paper” nuk do të ndodhin asnjëherë.

“Nuk do të kemi debat për ndarjen e Kosovës. Kosova nuk është vetëm e të gjallëve që jetojnë sot por edhe e atyre që kanë vdekur për këtë vend”, tha ai në “Debat Plus”.

Zyrtari i LVV-së thotë se për Kosovën kompromisi i fundit ka qenë plani i Ahtisaarit.

“Nëse fillon prekja e kufijve të Kosovës do të hapej Kutia e Pandorës në Ballkan dhe do të ndodhnin luftëra. Nuk do të prekej vetëm territori i Kosovës pasi shqiptarë nuk ka vetëm në Kosovë. Edhe Hungaria nuk do të ia lente Vojvodinën Serbisë”, tha Bahtiri, përcjell Telegrafi.

I pari i Mitrovicës thotë se Kosova nuk mund të japë tri komunat veriore për të marrë gjysmën e Preshevës.

Bahtiri ka dhënë edhe alternativën për zgjidhjen e problemit të veriut të Kosovës.

“Rruga e vetme për zgjidhjen e problemit të veriut është bisedimi me serbët lokal të Kosovës. Kjo është pikë e programit tonë. Për momentin ata serbë janë të shantazhuar nga Beogradi dhe nën presion”.

Bahtiri thotë se si kryetar i Mitrovicës nuk mund të injorohet nga asnjë qeveri sa i përket dialogut pasi ky qytet preket direkt.

Të ngjashme