Bajraktari: Asnjë e drejtë kushtetuese s’mund ta bllokojë Kuvendin

Prishtinë | 09 Gus 2026 | 10:10 | Nga Ekonomia Online

Avokati Ardian Bajraktari ka reaguar lidhur me situatën e krijuar nga moskonstituimi i Kuvendit, duke thënë se kjo gjendje nuk mund të vazhdojë pafundësisht dhe nuk duhet të shndërrohet në precedent kushtetues.

Përmes një postimi, Bajraktari e ka cilësuar gjendjen aktuale të moskonstituimit të Kuvendit si kundërkushtetuese, duke argumentuar se një e drejtë kushtetuese nuk mund të përdoret për të bllokuar funksionimin e institucioneve.

Ai ka paraqitur tri alternativa për tejkalimin e situatës.

Sipas alternativës së parë, Bajraktari thotë se mund të pritet deri në mesin e shtatorit, kur eventualisht mund të bëhet propozimi i kandidatit për kryetar të Kuvendit. Në këtë rast, sipas tij, do të fillonin të rridhnin afatet kushtetuese prej 60 dhe 45 ditësh, çka do të mund t’i shtynte zgjedhjet deri në fund të dhjetorit, me shumë gjasë më 27 dhjetor.

Alternativa e dytë, sipas tij, është procedimi i kandidatit të subjektit të dytë apo të ndonjë subjekti tjetër, nëse arrin të sigurojë së paku 61 vota.

“E drejta për të propozuar nuk është e drejtë absolute”, ka shkruar Bajraktari, duke shtuar se kur kjo e drejtë nuk ushtrohet brenda një kohe të arsyeshme dhe përdoret për ta bllokuar konstituimin e Kuvendit, atëherë, sipas tij, shtrohet çështja e abuzimit me të drejtën e propozimit.

Si alternativë të tretë, Bajraktari e sheh adresimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Ai thekson se tashmë është konstatuar se konstituimi i Kuvendit është çështje kushtetuese.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar afatin 30-ditor për konstituimin, por nuk ka përcaktuar shprehimisht sanksionin apo pasojën kushtetuese në rast të mosrespektimit të këtij afati.

“Gjykatës duhet t’i kërkohet të qartësojë se çfarë ndodh kur një e drejtë kushtetuese shndërrohet në instrument të bllokimit të rendit kushtetues”, ka deklaruar ai.

Në fund, Bajraktari ka thënë se tri alternativat janë në tryezë, ndërsa ka theksuar se një parim duhet të jetë i qartë: “Asnjë e drejtë kushtetuese nuk mund dhe nuk duhet të interpretohet si e drejtë për ta mbajtur peng konstituimin e institucioneve të Republikës.”

Të ngjashme