Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami zhvilloi një takim konsultativ me Grupin iniciues të ekspertëve për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve “PISA”.
Ministri Bajrami, ndër të tjera tha se, rezultatet e testit PISA 2015 duhet të na shërbejnë për reflektim dhe mobilizim të të gjithëve në Republikën e Kosovës, në mënyrë që në testin e ardhshëm PISA 2018 të kemi rezultate më të mira.
Për ta arritur këtë, Bajrami tha se kërkohet punë dhe përkushtim më i madh i mësimdhënësve, nxënësve, prindërve dhe institucioneve lokale e qendrore arsimore. Prandaj, nisur nga kjo, ministri do ta themelojë Grupin e punës në përbërje të ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë, të cilët pas studimit dhe analizimit të plotë të këtij procesi do ta hartojnë Planin e veprimit për vitin 2018 dhe në vazhdim.
“Tashmë e kemi kurrikulën e re, Planin Strategjik të Arsimit ‘PSAK 2017-2021’, si dhe Strategjinë për sigurimin e cilësisë në arsim, koordinatorët e cilësisë, me çka është siguruar hapësirë dhe mundësi për angazhim dhe qasje të drejtpërdrejtë për ngritjen e cilësisë dhe arritjen e standardeve moderne të arsimit”, tha ai.
“Jam tërësisht në mbështetje të grupit të ekspertëve dhe do të jem mbështetës i punës dhe angazhimit tuaj në të mirë të arsimit në Republikën e Kosovës”, tha ministri Bajrami.