Bajrami: Po i fuqizojmë gratë në ndërmarrësi

Prishtinë | 09 Nën 2016 | 18:08 | Nga

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mori pjesë në tryezën e organizuar nga Dhoma Ekonomike e Grave (G7) me temën “Sa është i favorshëm ambienti i të bërit biznes për gratë ndërmarrëse në Kosovë.”

Në këtë takim, ministrja Bajrami u shpreh se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Qeveria po punojnë në mënyrë konsistente që të mbështesin fuqizimin e grave në ndërmarrësi, sepse gratë ndërmarrëse konsiderohen si partnere shumë të rëndësishme në zhvillimin e sektorit privat dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

“Forumi Ekonomik i Gruas që nga sot, me vendim të Qeverisë së Kosovës është bërë anëtar i rregullt i Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik”, tha Bajrami, dhe shtoi se kjo do të ofrojë një mundësi shumë të mirë që të thellohet partneriteti i institucioneve qeveritare me gratë ndërmarrëse në Kosovë.

Ministrja Bajrami i ftoi gratë ndërmarrëse të jenë aktive në çdo instancë duke u bërë partnere të fuqishme në përfaqësimin e interesave të grave në çështjet që kanë të bëjnë me zhvillimin e ekonomik në vend.

“Janë një sërë projektesh dhe aktivitetesh përmes të cilave përkrahen apo u jepet përparësi gjinisë femërore, siç janë: organizimi i panairit ‘Gratë në Biznes’, projekti i ‘Skemës Voucher të Këshillimeve dhe Trajnimeve’, projekti ‘Internship Biznesi’, e të tjera”, theksoi ministrja Bajrami.

Në fund, ajo shtoi se është bërë një punë solide në drejtim të fuqizimit të grave ndërmarrëse, por jemi të vetëdijshëm se duhet vazhduar më tej dhe pandërprerë në politikat që ndihmojnë rritjen e rolit të gruas në biznes.

Të ngjashme