Baleti Kombëtar gati për shfaqjen e premierës “Pristine Conditions”, të koreografit Arthur Kuggeleyn

Prishtinë | 08 Maj 2019 | 13:45 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Baleti Kombëtar i Kosovës ka mbajtur konferencë në lidhje me premierën “Pristine Conditions”, që shfaqet më 9 maj, raporton Ekonomia Online.

Balerini Sinan Kajtazi tha se “Pristine Conditions” është premiera e 2-të e këtij viti dhe falënderoi koreografin e shfaqjes, Arthur Kuggeleyn, që ka sjellur një shfaqje të tillë në Prishtinë për njerëzit që e duan baletin.

“Është premiera e dytë për vitin 2019, ne nuk është kohë e gjatë që kemi konferencë, këtë periudhë e kemi të ngjeshur, prapë është një premierë në qershor brenda 6 muajsh po realizojmë 3 premiera, e para ka qenë Anderr, e dyta është që nesër do shfaqet para publikut dhe falënderojmë Arthurin që ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe stafin. Arthuri është koreograf i njohur evropian sepse duke qenë vetë i një fushe tjetër aktor ka arritur të sjellë në skenën ndërkombëtare në vallëzimin bashkëkohor një stil të veçantë”, tha ai.

Kajtazai tha se ndjehet me fat që koreograf të njohur po vijnë në Kosovë që të realizojnë krijimet e tyre dhe në këtë rast edhe baleti i Kosovës po prezantohet denjësisht.

“Falë bashkëpunimeve të tilla baleti ka arrit mu prezantuar denjësisht edhe në qendrat e Evropës falë kësaj mënyrë të punës të Baletit Kombëtar të Kosovës, këta artistë nuk sjellin vetëm një shfaqje në Prishtinë, por përvojën e tyre artistike, ne kemi qenë me fat që kemi punuar me shumë koreograf që kanë dhënë kontribut në rritjen e nivelit artistik të trupës së baletit”, tha Kajtazi.

Ai njoftoi se nesër do të jetë premiera e “Pristine Conditions”.

“Nesër do prezantojmë një krijim të ri që Arthuri prej datës 1 prill e ka përgatit me stafin e balerinëve”, shtoi Kajtazi.

Kajtazi në fund u shpreh i pakënaqur me Ministrinë e Kulturës e cila nuk po i ndihmon baletit kosovarë. Kajtazi tha që Arthuri që nga ardhja e tij në Kosovë nuk është paguar për asnjë mëditje të qëndrimit të tij në Kosovë dhe pret që MKRS-ja të reflektoj për këtë.

“Është për keqardhje që me 30 mars ka ardhur Arthuri këtu dhe ne nuk kemi mundur si institucion një mëditje të vetme me ia pagu, por është për shkak te rrethanave muajve të fundit, është keq me na ardh një i ftuar dhe mos me pas mundësi të paktën mëditjet sa qëndron këtu me ia heq, shpresoj që kjo të përmirësohet”, tha Kajtazi.

“Kërkoj nga Ministria e Kulturës me reflektu dhe me e zgjedh këtë problem”, shtoi ai.

Koreografi i shfaqjes, Arthur Kuggeleyn, tha se ndjehet shumë i lumtur që është në Prishtinë për të 3-ten herë dhe shpreson se balerinët tek publiku me koreografinë e tij të sjellin një ndjenjë më ndryshe dhe pret që shumë njerëz të vijnë ta shohin premierën, raporton EO.

Balerini, Kreshnik Musolli, tha se për të ka qenë një përvojë shumë e mirë dhe çdo lëvizje e re është një zbulim i ri.

“Ka qenë përvojë e mirë sepse është stil i veçantë i tij dhe jo gjithçka është e përgatitur paraprakisht dhe çdo ditë është një zbulim i ri se çka është një lëvizje minimale dhe mund të zhvillohet më e madhe se që është nisur”, tha Musolli.

Të ngjashme