Kryetari i komunë së Prishtinës, Shpend Ahmeti në Ballë për Ballë të Klan Kosovës ka thënë se nuk e kupton si kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi, nuk respekton vendimet e kësaj gjykate dhe bën thirrje që edhe qytetarët të mos e bëjnë këtë gjë.
“Skandaloze është që kryetari i Gjykatës Themelore, Hamdi Ibrahimi, në Prishtinë u bën thirrje qytetarëve që të mos zbatohet vendimi. Padia është bërë në vitin 2005, ndërsa vendimi është marrë në vitin 2008. Sot Hamdi Ibrahimi u bën thirrje që qytetarët të mos e zbatojnë këtë vendim”.
“Gratë kanë ardhur në shtëpinë time dhe kanë thënë që Hamdi Ibrahimi na ka thënë se Shpend Ahmeti po do t’i largojë nga banesat. Unë asnjëherë nuk përzihem në vendimet e gjykatës. Nëse ajo ka vendosur se banesat janë të uzurpuara, atëherë ato janë të tilla. E kam thënë shumë qartë se e respektoj ndarjen e pushteteve”.
Ahmeti ka deklaruar se kjo s’është veçse fushatë ndaj tij, në tentativë për të hequr vëmendjen nga zhvillimet tjera në vend, përfshirë edhe aferën Pronto, njofton Klan Kosova.
“Ajo që ndodhi mbrëmë është shantazh dhe presion i panevojshëm që po bëhet për qëllime politike. Tre banesa nga gjashtë që janë liruar kanë qenë me banues studentë. Po ashtu disa prej tyre janë me emra të zyrtarëve të lartë të partive në pushtet. Familjeve në nevojë në kemi vendosur që t’u ofrojmë ndihmë”.
Ai ka deklaruar se është e pabesueshme si vet Lidhja Demokratike e Kosovës që ka bërë padi për lirimin e këtyre banesave, tash del kundër vendimit të gjykatës.
“Është hipokrizi e radhës edhe nga LDK edhe nga PDK. Sepse aty ka zyrtarë të këtyre dy partive që kanë banesa. Lidhja Demokratike e Kosovës vet e ka ngritur padinë në vitin 2005. Ata vet i kanë shkaktuar këto probleme. Si u bë që vendimi merret në vitin 2008, ndërsa zbatimi më 2016? Si u bë që kjo ndodhë pas publikimit të përgjimeve Pronto? Megjithatë, unë do t’i mbroj rastet e rrezikuara, familjet në nevojë”.
“Ashtu siç i kam takuar këta banorë para dy vitesh, ashtu kam bërë edhe të martën mbrëma. Unë u kam thënë se ato banesa nuk janë të komunës. Se ata janë paditur dhe do të largohen nga aty. Askush nuk guxon, që për shkak të kritereve të Bashkimit Evropian, ta mbrojë një rast të këtillë uzurpimi. Gjysma e asamblistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë marrë banesa të komunës. Ismet Beqiri i ka ndarë banesë vetes”.
Ahmeti ka thënë se i ka realizuar shumicën e premtimeve parazgjedhore, ndërsa ka kërkuar nga qytetarët që në fund të mandatit të tij t’ia përmendin secilin premtim që nuk e realizon, njofton Klan Kosova.
“Është duke u përfunduar fabrika e ujit. Do të ketë ujë 24 orë në ditë. Pushteti i kaluar ka pasur 14 vjet kohë për të punuar. Gjatë mandatit tim ne ofrojmë shërbime moderne shëndetësore, çerdhe moderne, shërbime moderne transporti. Kemi arritur t’i ndalim ndërtime pa leje në kryeqytet”.
Sa i përket kishës ortodokse serbe në kampusin e Universitetit të Prishtinës, Ahmeti ka thënë se nuk është e mundur që të ketë edhe kampus univeristar, edhe kishë serbe në të njëjtin vend.
“Nëse 4.2 hektarë tokë, që pretendohet se i takon Kishës Ortodokse Serbe, legalizohen, atëherë nuk ka më kampus universitar. Dhe kjo nuk është çështje e tolerancës fetare. Këtë ua kam thënë edhe zyrtarëve të kësaj kishe”.
Ai ka komentuar edhe deklaratën e Albin Kurtit lidhur me mundësinë që në Ballkan në të ardhmen të ketë luftë. Sipas kryetarit të Prishtinës këtë gjë e thonë edhe analistët dhe mediet më të fuqishme botërore.
“Unë po lexoj analiza të analistëve amerikanë dhe evropianë. Edhe gazetat më të njohura botërore thonë se Ballkani është në rrezik. Potenciali për konflikt është i lartë. Por kur Albin Kurti e thotë këtë, atëherë reagimi është i madh. Unë mendoj që çdo deklaratë e tij shikohet me llupë dhe tentohet që t’i ndërrohet drejtimi”.