Balluku: Termocentrali i Vlorës synon të kthehet në një projekt rajonal, do t’u shërbejë 17 milionë banorëve

Prishtinë | 17 Maj 2022 | 13:57 | Nga Ekonomia Online

Gazifikimi dhe pozita e re e Shqipërisë nën dritën e zhvillimeve të fundit gjeopolitike ishte në qendër të vëmendjes këtë të hënë në Shqipëri.

Një memorandum bashkëpunimi mes kompanisë publike të gazit Albgaz dhe asaj bullgare Overgas, si dhe kompanisë amerikane Linden Energy, nënshkruar në Tiranë, vuri theksin tek rëndësia që ka projekti që po zhvillohet në Vlorë me mbështetjen e SHBA-ve.

Gjatë fjalës së saj, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha se çdo ditë e më shumë po marrin rëndësi të veçantë pjesa e projektit të termocentralit të Vlorës si dhe pjesa gazfikuese e portit lundrues që do të ndërtohet në Vlorë, që synimi tani është të kthehen në projeke rajonale.

“Ne kemi pasur një shprehje dëshire për bashkëpunim nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Dua të theksoj se projektit tonë i afrohen dhe partner të tjerë në SHBA, siç është Linden Energy, dhe sot ndjehemi të nderuar që kemi interesim bashkëpunimi për të firmosur një memorandum për bashkëpunim, për ta zhvilluar këtë projekt përtej asaj çfarë kemi në biznes planin aktual. Kemi nisur një punë paraprake gjatë një takimi që kemi pasur në Huston”, u shpreh Balluku.

Kompania Albagaz, sipas Ballukut, është angazhuar duke i dhënë një hap më tej këtij bashkëpunimi, duke e finalizuar këtë memorandum.

Në të ardhmen, Balluku thotë se projekti në fjalë mund të kthehet në një bashkëpunim real që do të shërbejë jo vetëm në shtetet e përmendura por sigurisht edhe më tej, siç është rasti i Overgaz-it bullgar, i cili sot për shkak të gjithë gjeopolitikës dhe zhvillimeve që po ndodhin, po has në vështirësi që në të ardhmen do të mitigohen dhe do të zgjidhen përmes këtyre projekteve rajonale, ku Shqipëria luan një rol të rëndësishëm.

“Kur kemi nisur këtë projekt, kemi qenë disi skeptikë sesi një vend i vogël si Shqipëria do të tërhiqte investitorë si Exxon Mobil apo Exelerate e Linden, por situata ka ndryshuar. Të gjitha zhvillimet gjeopolitike e kanë vënë Shqipërinë në një pozicion më të fortë për shkak të gjeografisë që ka, por edhe prej aderimit në NATO dhe gjithë marrëdhënies strategjike që ne kemi prej vitesh me SHBA. Kështu që ai hap që hodhëm me skepticizëm, sot po kthehet në një hap të rëndësishëm për të gjithë Ballkanin. Ai tregu i vogël që ne shihnim me skepticizëm, tashmë shihet si një treg me 17 milionë qytetarë që mund t’i drejtohen shërbimeve që janë të lidhura me gazin në mënyrë të drejtpërdrejtë”, tha Balluku. /geldtrade.al/

Të ngjashme