Banorët kërkojnë asfalt, Komuna arsyetohet me probleme pronësore

Lipjan | 11 Pri 2018 | 13:06 | Nga

Banorët e lagjes “Fehmi Jupa” në Lipjan qe shumë vite përballen me mungesë të infrastrukturës rrugore.

Ata kërkojnë nga Komuna asfaltimin e rrugës me gjatësi prej rreth 1 kilometri. Ata në mënyrë të organizuar kanë deponuar një peticion në Komunë, mirëpo sipas tyre asnjëherë nuk kanë marrë ndonjë përgjigje, shkruan Ulpiana Press.

Enver Ismaili, banor i kësaj lagje, ka thënë se Komuna asnjëherë nuk e ka marrë ndonjë veprim për asfaltimin e rrugës, e cila është degraduar shumë. Sipas tij, Komuna asnjëherë nuk u ka kthyer përgjigje kërkesave të tyre, madje për këtë çështje banorët e kësaj lagjeje kanë bërë edhe një peticion të cilin e kanë dërguar në Komunë.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Ilir Tasholli, ka thënë se Komuna disa herë ka njoftuar banorët se në lidhje me hapjen dhe asfaltimin e kësaj rruge, ka probleme pronësore-juridike të cilat kërkojnë zgjidhje.

“Komuna e Lipjanit në kuadër të planifikimeve buxhetore për infrastrukturë, çdo vit planifikon asfaltimin e rrugëve në qytetin e Lipjanit. Edhe këtë vit gjithashtu janë të planifikuara asfaltimet e disa rrugëve”.

“Sa i përket rrugës së lartpërmendur, Komuna disa herë i ka njoftuar banorët se në lidhje me hapjen dhe asfaltimin e kësaj rruge, ka probleme pronësore-juridike të cilat kërkojnë zgjidhje. Komuna ka vendosur këtë rrugë dhe disa rrugë të tjera në qytetin e Lipjanit në listën e rrugëve me prioritet sa i përket zgjidhjes se çështjeve pronësore”.

“Vlen të theksohet se procedurat e shpronësimit kerkojnë aplikimin e ligjeve ne fuqi dhe ato kërkojnë afate më të gjata kohore”, ka thënë Tasholli për Ulpianapress.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme