Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ende nuk po arrijnë të gjejnë rrugën për të bashkëqeverisur, raporton EkonomiaOnline.
Sipas profesorit universitar, Mazllum Baraliut kjo po ndodh për shkak të futjes së pozitës së presidentit në pakon e marrëveshjes.
“Kjo nuk po ndodhë mendoj që kërkesat, sidomos ajo e futjes së pozitës së presidentit që nuk është pozitë vakante tani , në këtë pako është jo vetëm e panevojshme e parakohshme por edhe irracionale edhe e padrejte, dhe si duket këtu qëndron barriera kryesore e mospajtimet mes këtyre dy subjekteve politike”, thotë ai.
Baraliu në një prononcim për Ekonomia Online thotë se këto dy parti e kanë mandatin qytetar për të formuar institucionet e shtetit, por kërkesat shtesë mund ta rëndojnë arritjen e marrëveshjes finale.
E për mosarritjen e marrëveshjes po e fajëson LDK-në e cila sipas tij nuk po tregohet racionale ndaj kërkesave për pushtet.
“Unë mendoj që do të kishte një marrëveshje ashtu siç është premtuar brenda 72 orësh dhe do të funksiononte qeverisja e ardhshme pa asnjë problem për arsye se racionaliteti politik që ka treguar VV-ja, si fituese e zgjedhjeve duke ofruar vendin e kryetarit të Kuvendit, koalicionit në koalicionin qeverisës dhe vendin e zëvendëskryeministrit të parë atëherë dhe natyrisht plus pesë ministri. Mendoj që është një ofertë edhe e drejtë edhe serioze edhe korrekte dhe politikisht etike dhe e barazvlefshme me atë që ka vendosur sovrani”.
“Mirëpo me këto kërkesa që tani më po dalin nga ana e LDK-së, unë mendoj që kemi të bëjmë me një irracionalitet politik dhe me një asimetri e cila në kërkesa dhe marrjen e përgjegjësive e cila nuk konsideroj që është e drejtë dhe nuk është proporcioanle me rezultatin votues dhe vullnetin e mirë që do duhej të mbretëronte te të dy këto subjekte politike për të bërë një qeverisje të re me standarde të reja dhe me besim të plotë reciprok”, thotë ai.
E në rast të dështimit të një koalicioni VV-LDK, Baraliu thotë se duhet provuar opsione të tjera.
“Mendoj që nuk do të duhej që asnjë subjekt politik të bëjë vija të kuqe veçanërisht tani në këtë situatë kur jemi që në fakt kemi pasur një proces elektoral që kushtoi shumë i parakohshëm, kemi aq shumë probleme të pazgjidhura dhe aq shumë çështje tepër kruciale për vendimmarrjet që presin këtë qeverisje, prandaj nuk është e panatyrshme që pa marrë parasysh çka është thënë më herët para fushatës dhe gjatë fushatës që në përputhje me Kushtetutën në qoftë se herën e parë nuk arrihet nuk arrihet që të votohet qeveria dhe nuk arrihet marrëveshja me LDK-në që në përputhje me Kushtetutë, saktësisht nenin 95 të saj të provohet në 10 ditshin pasues me një koalicion tjetër që të shkohet drejt presidencës për të marr nominim dhe për të formuar qeverinë”, thotë ai.
Baraliu e sheh si opsion edhe koalicionin VV-PDK, por edhe me partitë të tjera që ishin pjesë e PAN-it.
Kjo thotë se duhet bërë për interes shtetëror, ngase një ngërç politik do ta bllokonte vendin edhe në aspektin ekonomik.
“Nëse nuk arrihet marrëveshja me LDK-në të ketë një rikonfigurim tjetër kualitativ dhe të ketë një koalicion tjetër qeverisës me kënd do dhe pse jo edhe me PDK-në, pse jo me AAK-në e Nismën, përveç me Listën Serbe për arsye të njohura tashmë publike. Dhe kjo do ta shpëtonte ngërçin politik, krizën eventuale politike, mbase edhe zgjedhjet tjera të cilat po ashtu kanë koston e tyre dhe iracionalitetin. Po ashtu rrezikohet edhe buxheti i shtetit i cili është i limituar me ligj i cili duhet të miratohet deri në fund të këtij viti”, thotë ai.
Kurti por edhe Mustafa ditë më parë deklaruan se më së largu 72 orë pas certifikimit të zgjedhjeve do të arrihet marrëveshja për bashkëqeverisje.
Por gjërat si duket u komplikuan pas dy takimeve të dy liderëve, të cilët bën të ditur se bisedimet ende do të vazhdojnë.