Baraliu: Zvarritja nga VV-LDK alarmuese, ndërhyrja e QUINT-it e mirëseardhur

Prishtinë | 28 Jan 2020 | 16:26 | Nga Albanë Hajdari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shtetet e QUINT-it përmes një komunikate për medie pohuan edhe njëherë se nuk do të ndërmjetësojnë, por as nuk do të favorizojnë ndonjë parti apo individ për themelimin e qeverisë së re, raporton Ekonomia Online.

Mirëpo, njohësi i çështjeve politike Mazllum Baraliu, i tha Ekonomia Online se pavarësisht deklaratës interesimi i shteteve të QUINT-it është evident dhe se është momenti i fundit për arritjen e një marrëveshje të mundshme.

Baraliu thotë se Bashkësia Ndërkombëtare vlerëson se është tejkaluar çdo situatë dhe se duhet të bëhet formimi i qeverisë.

“Është një shenjë alarmi përfundimisht për dy subjektet politike se Bashkësia Ndërkombëtare ka parë që këto dy parti e kanë tejkaluar çdo limit racional dhe normal të dakordimit të programeve dhe pozitave dhe përgjegjësive që kanë pretenduar për të marrë qeverinë. Tani është momenti i fundit që këto të përfundojnë, për më tepër i kanë dhënë afate njëra tjetrës. Do të duhej që të bëjnë kompromis dhe të merren vesh ta nënshkruajnë marrëveshjen dhe të bëhet qeveria. Përndryshe pavarësisht deklarimeve të shteteve të QUINT-it dhe përfaqësuese së BE-së, Nataliya Apostolova ata nuk kanë nevojë gjithherë që të tregohet se çfarë bëjnë dhe flasin brenda. Por është e qartë interesimi i tyre është evident”, u shpreh Baraliu.

Nëse ky takim ndodhë, Baraliu thotë se bëhet për t’i përafruar dy partitë politike dhe për ta nënshkruar marrëveshjen përfundimtare.

“Për të parë një qeverisje të re dhe një marrëveshje të re, e duan shtete e QUINT-it dhe shteteve mike. Zvarritja është alarmuese dhe mund të shkaktojë edhe thellim më të madh se sa që kemi ne një krizë politike. Pikërisht për këtë arsye është dakorduar mes këtyre subjekteve dhe shteteve QUINT-it një takim i tillë dhe do të jetë i mirëseardhur për t’i përafruar këto dy subjekte dhe për ta nënshkruar atë”, tha ai.

Mes tjerash, Baraliu potencoi se VV-ja duhet të heq dorë nga pozita e kryeparlamentarit dhe ta bëjë kompromisin e madh.

Siç thotë ai, të lëshuarit pe nuk e percepton si dobësi, por një kompromis në favor të interesit të vendit.

“Të dy palët duhet të gjejnë një kompromis e mos të heq dorë asnjëra palë. Ka mundësi tjera të ndërmjetme për të gjetur një kompromis por nëse kjo nuk dakordohet që nuk lëshon pe njëra e as tjetra, e kjo nuk i bën nder përgjegjësie. VV duhet të heq dorë për pozitën e kryeparlamentarit dhe ta bëj këtë kompromis të madh. Ajo ka fituar zgjedhjet dhe ajo duhet ta themeloj qeverinë. Nuk është nënçmim nëse kryetari i Kuvendit heq dorë ose gjejnë ndonjë klauzolë tjetër. Të lëshuarit pe nga cila do anë, nuk është dobësi e as shmangie nga obligimet dhe parimet e saj por është një kompromis në dobi të interesit të shtetit”, thotë Baraliu.

Të ngjashme