Basha shkon në spitalin e Durrësit: Ekspertët thanë se godina nuk ka rrezik

Prishtinë | 28 Nën 2019 | 16:51 | Nga Ekonomia Online

Pasgoditjet e shumta që ka përjetuar Shqipëria pas tërmetit 6.4 të mëngjesit të së martës kanë sjellë jo pak panik në vend, e veçanërisht këtë të enjte në spitalin e Durrësit, ku kishte një sërë dëmtimesh në godinë.

Kreu i PD-së Lulzim Basha ka vizituar këtë të enjte spitalin e qytetit më të prekur nga tërmeti dhe ka deklaruar para gazetarëve se ekspertët e kanë kontrolluar godinën dhe se fatmirësisht nuk ka dëme serioze.

Basha u shpreh se deri më tani gjendja paraqitet e stabilizuar dhe se puna e kryer nga personeli mjekësor ka qenë e jashtëzakonshme.

Kryedemokrati tha gjithashtu se informimi i qytetarëve mbi gjendjen aktuale duhet të jetë pa censurë, pasi sipas tij kjo është mënyra më e mirë për të luftuar keqinformimin, panikun, shokun, tronditjen dhe stresin që po kalojnë të gjithë shqiptarët.

Lulzim Basha: Arsyeja e rikthimit tim në këtë spital është për të parë gjendjen tek Reparti i Urgjencës, kryesisht, pas tërmetit. Pas goditjes së orës 12.00, gjendja paraqitet stabël. Është bërë një kontroll nga ekspertët, nga inxhinierët strukturorë, të cilët e kanë certifikuar se mund të vazhdojë punën. Dua të shpreh mirënjohjen time dhe mbështetjen totale për personelin shëndetësor të Spitalit të Durrësit, nga drejtuesja e spitalit, tek mjekët, tek infermierët, personeli sanitar, personeli ndihmës, të cilët janë heronj të vërtetë, sepse kanë përballë një volum të jashtëzaknshëm në kushte shumë të vështira. Mirënjohje kam edhe për personelin, që është i pranishëm, për të përforcuar punën e tyre dhe për ekipet e ardhura nga jashtë, të cilët siç i patë edhe vetë, po ndihmojnë sa munden me praninë e tyre. Mendjet dhe zemrat tona janë me familjet e  të lënduarve, me të lënduarit dhe me të gjithë ata që po japin ndihmën e tyre të pakursyer në këtë orë të vështira për Durrësin dhe qytetarët e Durrësit.

Me këtë solidaritet të paparë, me këtë qëndrim afër njëri-tjetrit, me këtë dhembshuri dhe me këtë sens humanizmi, që ka shoqëruar punën e çdokujt, edhe të vullnetarëve, mjekëve, infermierëve, personelit të emergjencës. Kemi treguar se, në raste të tilla, dimë të sillemi dhe të jemi një familje e madhe pranë njëri-tjetrit dhe ndaj jemi këtu dhe do të vazhdojmë te jemi këtu me njerëzit tanë për t’u qëndruar sa më afër, për t’u dhënë mbështetje dhe çfarëdo ndihme, sado modeste, çdokujt që është në nevojë. Dua të falenderoj nga zemra edhe mediat për raportimin, që është kyç për informimin e qytetarëve.  Informimi i qytetarëve është mënyra më e mirë për të luftuar keqinformimin, panikun, shokun, tronditjen dhe stresin, ndaj, dua t’ju kërkoj të vazhdoni të raportoni me profesionalizëm, duke qëndruar brenda kufijve të profesionalizmit, për të raportuar gjithçka pa censurë dhe pa vetëcensurë./

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme