BE: Nënshkrimi i marrëveshjes Kosovë – Serbi vetëm pasi palët pajtohen për gjithçka

Prishtinë | 28 Kor 2020 | 18:31 | Nga Ekonomia Online

Bashkimin Evropian e ka bërë të qartë se Kosova e Serbia nuk do të bëjnë marrëveshje të veçanta, apo të pjesshme sikur që ka ndodhur në proceset e kaluara në Bruksel.

Sipas tyre, marrëveshja gjithëpërfshirëse do të nënshkruhet vetëm pasi të arrihet pajtimi për të gjitha temat. BE thekson se paralelisht do të shtrohet edhe cështja e marrëveshjeve të arritura në të kaluarën.

Pas takimit ndërmjet Kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq kanë nisur edhe diskutimet në nivel ekspertësh, që quhen politike e jo teknike. Në kryeqytetin europian Kosova po përfaqësohet nga Skender Hyseni që u emërua së voni koordinator shtetëror, ndërsa Serbia, nga njeriu besnik i Vuciqit, Marko Gjuriq.

Hyseni i cili ka marrë pjesë pothuaj në të gjitha negociatat për Kosovën, kur doli nga takimet e para të tij në Bruksel nga kjo pozitë, tha se Kosova nuk pranon marrëveshje të pjesshme dhe se po diskuton për marrëveshje gjithëpërfshirëse që nënshkruhet në fund.

Në favor të këtij modeli negociator duket se është edhe BE.

Në një përgjigje për Gazetën Express, Zëdhnësja e BE’së Nabila Massrali, thotë se dialogu që e ndërmjetësojnë do të përfundojë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, dhe vetëm atëherë kur zgjidhen të gjitha problemet mes Kosovës dhe Serbisë, aq sa për ta nënshkruar marrëveshjen përfundimtare.

“BE’ja, si ndërmjetësuese në dialog, do të punojë me palë për një normalizim gjithëpërfshirës të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, duke i adresuar të gjitha cështjet e pazgjidhura” ka thënë zëdhënësja për Gazetën Express.

Përgjatë gati një dekade diskutimesh në BE, kosovarët dhe serbët kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh, të cilat nuk janë zbatuar. BE’ja, duke folur për marrëveshjen përfundimtare, kërkon që të implementohen edhe ato parapraket.

“Bashkimi Evropian dhe të gjitha shtetet anëtare të tij presin nga palët që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e bëra në të kaluarën. Cështjet e pazgjidhura në marrëveshjet e kaluara do të adresohen paralelisht në negociatat për një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, thuhet në përgjigjen e BE’së.

Tema që pala kosovare është e interesuar të zgjidh në Bruksel është cështja e të zhdukurve, që nga lufta në Kosovë. Edhe kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se këtë temë e ka hapur në takimin e tij të parë me presidentin serb Aleksandër Vuciq, para dy javësh.

Në BE, të pyetur për diskutimet rreth të pagjeturve, thonë se as kjo temë e as ndonjë tjetër nuk ka afat të caktuar dhe se do të diskutohet për të gjitha cështjen e pazgjidhura, deri në zgjidhjen e tyre.

“Kosova dhe Serbia do të nënshkruajnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse në normalizimin e raporteve, pasi të jenë diskutuar të gjithë temat dhe pasi të jenë marrë vesh për të gjitha. Rruga drejt Bashkimit Evropian për të dyja palët shkon përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE’ja”, thuhet në përfundim të përgjigjes.

BE’ja ka rikthyer në tryezë palët për dialog, pas dy vjetëve prej kur ishin ndalur negociatat.

Kryeministri Avdullah Hoti përfaqësoi Kosovën në takim me Vuciqin në Bruksel, ndërsa presidenti Hashim Thaci ka ndalur veprimtarinë e tij jashtë vendit, pasi Prokuroria Speciale në Hagë njoftoi se ka dorëzuar aktakuzë ndaj tij.

Të ngjashme