Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi sot takimin që do të zhvillohet në Paris ndërmjet kryeministrit Edi Rama dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, ku u shpreh se uron së kreu francez të ketë parasysh situatën reale në Shqipëri dhe jo atë që i paraqet kryeministri shqiptar.
Gjatë një konference për mediet, Berisha tha se në traditën e Palais de l’Élysée, takimet dhe drekat zyrtare shërbejnë edhe për t’i përcjellë të ftuarit qëndrimet e Francës mbi çështje të caktuara.
“Unë uroj dhe dëshiroj që presidenti Macron të mbajë parasysh se realiteti që përshkruan Edi Rama, për bajlozin e zi, algoritmin, për agjenturat e huaja, greke, iraniane, ruse, serbe tani së fundi, nuk është ai realitet që ekziston në bulevardin e Tiranës, ku qindra-mijëra qytetarë protestojnë prej 22 ditësh në mënyrën më civile dhe më të qëndrueshme ndaj një regjimi që i ka plaçkitur ata në mënyrën më të pamëshirë, që i ka përzënë ata nga vendi i tyre nga viti 2015 deri në vitin 2024 në 10 vite – më shumë se çdo pushtues i egër i mëparshëm i kësaj toke – i ka pakësuar ata edhe më shumë se murtaja e zezë e viteve 1300”, tha Berisha.
Berisha shtoi se “do dëshiroja që në atë bisedë presidenti Macron ta kishte të qartë se bajlozët e zinj që ai quan algoritmet, se shtojzovallet dhe shtrigat që ai konsideron blogerë e influencierë, janë që të gjitha fantazi e sëmurë e një njeriu të lidhur me pushtetin më keq se mishi me thoin për shkak të krimeve të tij të panumërta që ka kryer, dhe që nuk pranon në asnjë mënyrë ta dorëzojë atë, po bën gjithçka për të shpëtuar lëkurën e tij”.
Në përfundim, Berisha tha se shpreson që takimi në Elize t’i përcjellë Ramës “mesazhin e duhur” në interes të Shqipërisë, rajonit dhe marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë, duke theksuar se Macron e ka pritur kryeministrin shqiptar si mik të Francës.
“Uroj nga zemra që ky takim në Elize, të bëjë që Edi Rama të marrë mesazhin e duhur në interesin më të mirë të Shqipërisë, të rajonit, por dhe të miqve të Shqipërisë, mbasi sigurisht presidenti Macron e ka ftuar atë si një mik të Francës”, tha ai./Atsh