Besa Krasniqi, fituese e edicionit 46 të Festivalit “Kosovarja këndon”

Ferizaj | 28 Nën 2018 | 00:11 | Nga Ekonomia Online

Në prag të 28 Nëntorit, Festës së Flamurit Kombëtar dhe Pavarësisë së Shqipërisë, ngriti siparin edicioni i 46-të i Festivalit emblematik të këngës popullore “Kosovarja këndon”. Mbrëmjen e kësaj feste muzike e hapën pjesëmarrëset e para të këtij festivali, Maria Kurti Gjini dhe Sadije Çarkaxhiu.

Në këtë edicion, u paraqitën 20 kandidate nga treva të ndryshe shqiptare si Gostivari, Tropoja dhe qendra të tjera anekënd Kosovës.

Juria profesionale e përbërë nga Vladimir Hasimi, kryetar i jurisë, Ylber Asllani profesor univeristar, Minire Fetahu, kritike e muzikës dhanë verdiktin e tyre pas interpretimit gati 2 orësh të këngëve ikona të muzikës shqipe.

Çmimin e parë e ndau i pari i Ferizajt, Agim Aliu për solisten Besa Krasniqi nga Gjilani, e cila interpretoi këngën “Shqipëri o vendi im”.

Çmimin e dytë e ndau ish Kryetari i Ferizajt, Bajrush Xhemaili, për solisten Rina Kurteshi, kurse çmimi i tretë i takoi solistes Besa Hajdari.

Në këtë festë të këngës popullore, për solisten Majlinda Cikaqi u nda edhe çmimi special “Nexhmije Pagarusha” nga e fituesja e parë e Festivalit “Kosovarja këndon”, Sadije Çarkaxhiu. Ndërsa çmimin e gazetarëve “Skënder Idrizi” e ndau gazetari ferizajas Abdullah Imeri për solisten Fjolla Iseni. Mirënjohje për të gjitha pjesëmarrëset ndau edhe drejtorja e kulturës, rinisë dhe sportit, Xhemile Murati Shabani.

Mbrëmjen e sontme orkestri i zgjeruar i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Kastriotët” dhanë një spektakël muzikor, performancë të shkëlqyer të këngëve popullore shqiptare, nën dirigjimin e Fitim Bytyçit. Në skenë u ngjitën edhe grupe tjera muzikore të cilët interpretuan disa nga këngët më të njohura popullore.

Edicioni i sivjetëm i Festivalit “Kosovarja këndon” u organizua nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nën përkujdesjen e veçantë të Kryetarit të Komunës, Agim Aliu

Të ngjashme