Bie niveli i ndotjes së ajrit në Prishtinë

Prishtinë | 30 Jan 2018 | 16:53 | Nga

Sot në Prishtinë niveli i ndotjes së ajrit ka rënë në 93 ppm, ndonëse para pak ditësh kryeqyteti i Kosovës ishte listuar si vendi më i ndotur në botë, transmeton Klan Kosova.

Nga matjet e 26 janarit, cilësia e ajrit në Prishtinë kishte arritur në nivelin e 350 ppm, ku edhe cilësohej si ajër helmues për qytetarët.

Këto të dhëna janë marrë nga Qendra për Matjen e Cilësisë së Ajrit, që është vendosur nga Ambasada Amerikane.

Ndërkaq sot, nënkryetari i komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, deklaroi se qarkullimi i të gjitha veturave brenda qytetit do të ndalohet duke filluar nga ora 06:00 deri në 22:00.

Në këtë vendim nuk do të hyjnë automjetet e policisë, emergjencës, misioneve diplomatike apo zyrtarëve tjerë.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se do të parandalohet edhe shitja e thëngjillit.

“Është marrë vendim që të ndalohet shitja e thëngjillit brenda territorit të Prishtinës, dhe të ndalohet qarkullimi i të gjitha automjeteve brenda qytetit nga ora 6:00 deri në 22:00″, tha ai në një konferencë për media.

Automojetet e transportit publik, emegjenca dhe policia, diplomatike, KFOR, EULEX, taksitë e lincesuar etj, këto janë të lejuara që të futen në brendinë e qytetit”, shtoi Pacolli.

Ai gjithashtu theksoi se transporti i udhëtarëve me autobusët e Trafikut Urban do të jetë pa pagesë, gjë që do të mundësohet nga qeveria e Kosovës.

“Transporti i udhëtarëve nga Trafiku Urban në intervalin kohor do të bëhet pa pagesë, që financohet nga qeveria e Kosovës”.

Ndryshe numri i veturave që hynë e dalin nga Prishtina në një ditë, cilësohet se shkon në 120 mijë vetura.

Kjo është përmbajtja e vendimit:

1. Ndalohet shitja e thëngjillit brenda territorit të komunës së Prishtinës.

2 Ndalohet qarkullimi i të gjitha automjeteve brenda qytetit të Prishtinës, nga ora 06:00-22:00, përveç

Automjeteve të transportit publik, automjeteve emergjente, automjeteve të Policisë së Kosovës, automjeteve të misioneve diplomatike, automjeteve të FSK-së, automjeteve të KFOR-it, automjeteve të EULEX-it, automjeteve të drejtorisë së inspekcionit, automjeteve-taksi të licencuara, automjeteve për bartjen e personave me aftësi të veçanta të cilat mbajnë shenja identifikuese.

3. Zona e ndaluar përfshinë këto rrugë:

Bulevardi “Bill Klinton” nga udhëkryqi i rrugëve “Idriz Gjilani” dhe “Bekim Fehmiu”, gjegjësisht nga shtatorja “Bill Klintoni”,

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga rrethrrotullimi i flamurit,

Rruga “Agim Ramadani” nga udhëkryqi i konvikteve,

Rruga “Edmond Hoxha” te salla “1 Tetori”

Rruga “Ilir Konushevci”, nga hyrja e drejtimit të Podujevës

Hyrja nga rrethrrotullimi i lagjes “Arbëria” në rrugët “UÇK” dhe “Fehmi Agani”

4. Transporti i udhëtarëve nga “Trafiku Urban” në intervalin kohor të cekur në pikën 1 do të bëhet pa pagesë, financuar nga Qeveria e Kosovës.

5. Furnizimi i bizneseve me mallra duhet të kryhet në intervalin kohor prej orës 22:00 – 06:00.

6. Për zbatimin e këtij vendimi obligohet Drejtoria e Inspeksionit.

7. Policia e Kosovës do të asistojë në zbatimin e pikës 2 të këtij vendimi.

8. Ky vendim fillon të zbatohet nga data 31.01.2018 deri në marrjen e një vendimi tjetër nga Komuna e Prishtinës

9. Zyra për marrëdhënie me publikun do t’i njoftojë qytetarët dhe subjektet tjera për këtë vendim, përmes mediave të shkruara dhe elektronike.

10. Ky vendim hyn në fuqi në ditën e nënshkrimi të tij.

 

 

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme