Investimet e huaja direkte në Kosovë vitin e kaluar kanë shënuar rënie për rreth 100 milionë euro, në krahasim me vitin 2015.
Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, investimet ndërkombëtare të pranuara vitin e kaluar në Kosovë kanë arritur në 215.9 milionë euro, që paraqet nivel më të ulët krahasuar me vitin 2015, kur investimet e huaja ishin 309.8 milionë euro.
Edhe pse investimet e huaja vazhdimisht vlerësohen si mjete të domosdoshme për zhvillim ekonomik, në dekadën e fundit, kryesisht pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, ka pasur luhatje të mëdha në vlerën e investimeve direkte të huaja.
Kurse, Kosova konsiderohet me potenciale të mjaftueshme dhe atraktive për investitorët potencialë, thonë ekspertë për çështje ekonomike, nëse në këtë kuadër autoritetet kompetente krijojnë kushte më të favorshme.
Investimet e huaja, sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, kryesisht janë të përqendruara në sektorët e ekonomisë si patundshmëria, ndërtimtaria, shërbimet financiare dhe tregtia.
Në vitin 2016, rënie e këtyre mjeteve është evidentuar pothuajse në të gjithë sektorët. Por, rënia më e theksuar ishte te sektori i patundshmërive dhe sektori i shërbimeve financiare, sektorë që u karakterizuan me rënie vjetore prej 11.6 përkatësisht 70.5 për qind.
Sa i përket origjinës së investimeve të huaja, Zvicra paraqet vendin prej nga kanë ardhur më së shumti investime vitin e kaluar, pasuar nga Turqia, Shqipëria dhe Gjermania.