Bislimi mohon raportimet për “takim sekret” me Gjuriqin, akuzon mediat e Kosovës, i butë me NZZ

Prishtinë | 07 Jan 2026 | 15:23 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi i ka quajtur dezinformata raportimet e përkthyera nga “Neue Zurcher Zeitung” – NZZ, në  të cilin zbulohet se shteti Zviceran ka organizuar takime joformale në mes të Kosovës dhe Serbisë e në të cilat takime ka marrë pjesë vet Bislimi dhe kryediplomati serb, Marko Gjuriq.

Bislimi kritikat i drejton ndaj mediave të Kosovës gjoja për propagandë, duke e mohuar që ta ketë takuar ndonjëherë Marko Gjuriqin, të cilit i referohet si “personazhe”.

Ndryshe prej sulmit ndaj mediave të Kosovës, ai u tregua i butë ndaj asaj zvicrane duke thënë se “As gazeta serioze zvicerane NZZ nuk aludoi në shkrimin e saj që nga publikimi në asnjë moment për një takim të tillë”.

“Dezinformata të shumta dhe propagandë nga portale në Kosovë u përhapën dje duke keqinterpretuar qëllimshëm një artikull të gazetës zvicerane NZZ. Është për keqardhje me sa lehtësi dhe shpejtësi krijohen dhe shpërndahen dezinformatat me synim informimin e rrejshëm ndaj opinionit publik dhe çorientim të së vërtetës. Si Zëvendëskryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës apo në kapacitet tjetër, asnjëherë nuk kam pasur takime “të fshehta e sekrete”, e aq më pak me personazhe si Marko Gjuriq. As gazeta serioze zvicerane NZZ nuk aludoi në shkrimin e saj që nga publikimi në asnjë moment për një takim të tillë, por ishin portalet joprofesionale dhe gazetarë joprofesionalë që raportuan rrejshëm në atë mënyrë, duke keqpërdorur artikullin nga NZZ”, ka shkruar ai.

Ndërsa paralajëmroi padi ndaj mediave të Kosovës që gjithnjë sipas tij  bën dezinformata.

“Dezinformatat e shumta të shpërndara në mënyrë të qëllimshme do t’i adresoj përmes ankesës/padisë në institucionet relevante”, shkroi Bislimi në reagimin e tij.

Të ngjashme