BpB e orientuar nga diaspora dhe përkrahja e eksportit

Prishtinë | 26 Kor 2016 | 11:47 | Nga Ekonomia Online

Oda Ekonomike e Kosovës i konsideron bankat si partner të rëndësisë së veçantë, ndërsa përshëndet dhe përkrah orientimin e Bankës për Biznes që të përkrah ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, e orientuar ka diaspora dhe përkrahja e biznesit.

Kështu u tha në takimin e kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu dhe kryeshefit ekzekutiv të Bankës për Biznes, Arton Celina.

“Llogaritni në përkrahjen tonë në punën e juaj, por njëkohësisht ju duhet të shikoni se çka mund të bëni ndryshe nga bankat tjera për të qenë tërheqëse për kompanitë vendore, të vogla dhe të mesme”, tha kryetari Gërxhaliu.

“Ju si bankë vendore keni edhe një pjesë të obligimit moral që të keni parasysh interesat e ekonomisë vendore, përveç, kuptohet, interesit primar të bankës”, porositi kreu i OEK-ut.

Kryeshefi ekzekutiv i BpB, Arton Celina, tha se janë duke e formuar një ekip të ri, jo vetëm për nga mosha, por edhe për nga përcaktimet afariste bankare.

“Ne si bankë jemi të orientuar më shumë në fushën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Ky do të jetë fokusi i ynë i zhvillimit dhe i realizimit të operacioneve të bankë.  Konsiderojmë se ky është një sektor ku jo vetëm banka por edhe gjithë ekonomia performon më mirë. Ne mendojmë që ta ndryshojmë kreditimin tradicional që e bëjnë bankat sot duke kaluar jo vetëm në fushën e konsulencës klasike por edhe në kreditim së bashku me konsulencë, pasi që konsiderojmë se NVM kanë nevojë më shumë për skenar të rritjes, për kooperim me diasporën, financim të eksportit dhe të gjitha këto do të janë fushëveprim i yni në bashkëpunim me bankat tjera ndërkombëtare”, tha Celina.

Ai informoi se dje kanë nënshkruar një marrëveshje me BERZH-in për energjinë efiqiente e cila do tu jepet NVM dhe individëve me përcaktim që një pjesë deri 10-20 për qind të shumës së kredisë do tu kthehet klientëve me vërtetimin se energjia efiçiente po realizohet.

“Fushë tjetër e veprimtarisë së bankës do të jetë digjitalizimi i shërbimeve për NVM  dhe besojmë që pa një teknologji të vërtetë edhe bizneset do ta kanë vështirë të zhvillohen, kështu që edhe në këtë lëmi do të jemi pranë bizneseve, pranë klientëve tanë”, tha kryeshefi Celina.

Risi në krahasim me shërbimet bankare që ofrohen deri më tash do të jetë orientimi i BpB ka diaspora dhe mundësitë e mëdha të cilat ajo i ofron dhe përkrahja eksporteve tha i pari i BpB.

Ai vlerësoi lartë kontributin që është duke dhënë OEK-u për përkrahjen bizneseve vendore dhe u shpreh i gatshëm që të zgjerohet dhe thellohet bashkëpunimi në dobi të dyanshme.

Me këtë rast Gërxhaliu dhe Celina nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit i cili përfshin bashkëpunimin reciprok në mes të BpB dhe OEK-ut në sektorin e zhvillimit financiar dhe shërbimeve bankare dhe realizimin e aktiviteteve që vlerësohen të nevojshme nga partnerët dhe shkëmbimi i informacioneve që lidhen me sektorit financiar.

oek
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme