Broja rikthehet te Shqipëria U21 për ndeshjen me Andorrën

Prishtinë | 28 Maj 2021 | 17:30 | Nga Ekonomia Online

Kombëtarja Shqiptare U21 vijon përgatitjet në kompleksin stërvitor “Tropikal” në Durrës, për ndeshjen eliminatore të Europianit 2023 ndaj Andorrës dhe më pas miqësoren ndaj Bullgarisë, teksa së fundi është përforcuar me dy elementë.

Kështu në grumbullim është paraqitur mesfushori 19-vjeçar i Apolonisë, Mario Shanaj, i cili është ftuar rishtazi nga Bushi, ndërsa përforcimi i vërtetë është ai me sulmuesin e kombëtares A, Armando Broja.

Ky i fundit do të rikthehet nën urdhrat e Bushit, për të dhënë kontributin e tij për ndeshjen zyrtare me Andorrën dhe më pas do të bashkohet sërish me skuadrën e Edi Rejës, për të qenë në dispozicion për miqësoren ndaj Republikës Çeke.

Sulmuesi 19-vjeçar që sapo mbylli një sezon mjaft të mirë me skuadrën e Vitesses në kampionatin holandez, pritet të jetë një armë e fortë e Shpresave kuqezi për transfertën ndaj Andorrës, ku fitorja është një detyrim për të synuar një arritje madhore.

Sfida Andorrë-Shqipëri do të zhvillohet më 4 qershor, ndërsa më 8 qershor Shpresat kuqezi do të udhëtojnë drejt Bullgarisë, për të zhvilluar një miqësore ndaj bashkëmoshatarëve të tyre.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme