Burim Ramadani: Vërtetimi i varrezës masive në Zubin Potok do të ishte dëshmi e rëndësishme e krimeve të Serbisë

Prishtinë | 28 Kor 2026 | 20:17 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i zgjedhur i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, ka reaguar lidhur me dyshimet për ekzistimin e një varreze masive në Zubin Potok, duke thënë se konfirmimi i saj do të përbënte një moment të rëndësishëm për dokumentimin e krimeve të kryera nga Serbia në Kosovë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ramadani tha se Instituti i Mjekësisë Ligjore duhet të mbështetet në punën e tij profesionale.

“Vërtetimi për varrezë masive në Zubin Potok do të ishte moment tepër i rëndësishëm për dëshmimin e mëtutjeshëm të krimeve të Serbisë në Kosovë. Profesionistët e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) duhet të mbështeten në punën e tyre profesionale”, ka shkruar Ramadani.

Ai kritikoi edhe gjendjen në Institutin e Mjekësisë Ligjore, duke pretenduar se institucioni ishte lënë pa investime, ndërsa, sipas tij, ishin rritur në mënyrë të paligjshme pagesat për kompanitë.

“IML mbeti gjatë pa kulm, ndërsa u rritën jashtëligjshëm pagesat për kompanitë për 326 për qind. Duhet mbështetur profesionistët, jo të zhvatet buxheti për kulmin e ndërtesës së tyre”, u shpreh ai.

Ramadani tha se Serbia dhe korrupsioni mbeten kërcënimet kryesore për sigurinë.

“Serbia dhe hajnia janë kërcënuesit kryesorë të sigurisë”, shtoi ai.

Të ngjashme