Ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi tha se ka shkarkuar katër anëtarët e MASHT-it në Bordin e UP-së.
Ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi tha për KALLXO.com se ka shkarkuar katër anëtarët e kësaj ministrie në Bordin e Universitetit të Prishtinës.
“Po, janë shkarku vetëm anëtarët e Bordit të UP-së që emërohen nga MASHT-i, ndërsa për anëtarë tjerë të emëruar nga Universiteti vendosin ata”, tha ministri Shyqiri Bytyqi.
Ministria e Arsimit i kishte emëruar anëtarët e saj në Bordin e UP-së në shkurt të vitit 2016.
Anëtarë të këtij bordi nga MASHT-i ishin emëruar atëherë Ismet Salihu, Alajdin Abazi, Sigurd Hollinger dhe Ahmet Latifi.
Edhe kryetari i Bordit Drejtues të Universitetit të Prishtinës emërohet nga MASHT-i, prandaj edhe ai është shkarkuar.
Kryetar i Bordit Drejtues të UP-së deri tash ishte Ismet Salihu.
Së fundi ministri Shyqiri Bytyqi nuk ishte pajtuar me uljen e vlerës së bursave për studentët e UP-së nga 600 në 500 euro, ndërsa Këshilli Drejtues i Universitetit vendosi që të kthejë shumën e bursave në vlerën e 600 eurove, ashtu si ishte edhe vitin e kaluar.
Bordi Drejtues i UP-së përveç katër anëtarëve të emëruar nga MASHT-i, i ka edhe pesë anëtarë të emëruar nga Universiteti.