Cakaj: Shqipëria vepron sipas parimeve të BE-së

Prishtinë | 11 Mar 2019 | 14:37 | Nga Ekonomia Online

Në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë është mbajtur takimi i radhës i Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian të Shqipërisë, më fokus diskutimet mbi përgatitjet rreth procesit të integrimit evropian të vendit.

Në takimin e sotëm është diskutuar për disa çështje mbi përgatitjet e Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit evropian, ndërsa të pranishëm ishin përfaqësues të Qeverisë së Shqipërisë, të Kuvendit, të institucioneve të tjera dhe përfaqësues organizatave të shoqërisë civile. 

Në fjalën e tij, ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, theksoi se raporti i progresit i Komisionit Evropian konstatoi se Shqipëria ka përmbushur të gjitha detyrimet teknike të kërkuara për hapjen e negociatave. 

“Vendet anëtare konfirmojnë se progresi në Shqipëri është i qëndrueshëm dhe vendosin t’i përgjigjen pozitivisht atij për të hapur rrugën për hapjen e negociatave në qershor të vitit 2019. Këshilli vlerëson se reforma në drejtësi ka dhënë rezultate në nivelet më të larta të gjyqësorit. Gjithashtu nga Këshilli vlerësohet kontributi konstruktiv i Shqipërisë në zhvillimet në rajon si shtet që është kontribues aktiv i bashkëpunimit rajonal. Shqipëria është një shtet në rajon që vepron në përputhshmëri të plotë me parimet e politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së”, tha Cakaj. 

Ai theksoi se Shqipëria ka pasur mbështetjen absolute të më tepër se 25 vendeve anëtare të BE-së për të hapur negociatat menjëherë, gjë që dëshmon, sipas tij, qëndrueshmërinë e reformave. 

Ndërsa, zëvendëskryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, Taulant Balla, në fjalën e tij tha se viti i shkuar ishte një vit i rëndësishëm për procesin e integrimit të vendit. 

“Duke filluar me rekomandimin e pakushtëzuar të Komisionit Evropian për hapjen e negociatave e në vijim me konkluzionet e Këshillit Evropian të qershorit i cili dakordësoi që t’i përgjigjet pozitivisht progresit të bërë nga Shqipëria dhe rekomandimit të Komisionit Evropian, duke përcaktuar rrugën drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit në qershor të vitit 2019. Procesi ‘screening’ i filluar në shtator të vitit 2018, ka vijuar të ecë me ritmin e duhur si dhe është ngritur struktura negociatore shtetërore përgjegjëse për koordinimin dhe mbarëvajtjen e bisedimeve të anëtarësimit”, tha Balla. 

Sipas Ballës, Kuvendi i Shqipërisë si organi më i lartë përfaqësues dhe ligjvënës në vend duhet të luajë një rol të fortë mbikëqyrës gjatë gjithë procesit të negociatave, duke siguruar gjithëpërfshirjen e aktorëve përkatës dhe grupeve të interesit. 

“Gjatë vitit të shkuar Kuvendi nisi një proces të rishikimit e përmirësimit të kuadrit ligjor e institucional me qëllim që si organi më i lartë përfaqësues dhe ligjvënës në vend të forcojë rolin e tij mbikëqyrës në drejtim të zbatimit të detyrimeve të anëtarësimit. Në këtë drejtim, reforma në drejtësi ka qenë një prioritet konstant i Kuvendit edhe gjatë vitit të shkuar, veçanërisht përsa i përket ngritjes së institucioneve të reja të qeverisjes së sistemit dhe mbështetjes së tyre me burimet e nevojshme”, deklaroi Balla. 

Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian është struktura më e lartë këshillimore kombëtare për integrimin evropian, i cili nxit dhe garanton bashkëpunimin gjithëpërfshirës ndërmjet forcave politike, institucioneve publike dhe shoqërisë civile.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme