Anëtari i PDK-së, ish-kandidat për deputet nga kjo parti, Bujar Cakolli, ka vazhduar kritikat publike ndaj Kryesisë së PDK-së se nuk është aktive në të bërit opozitë.
Në një postim në faqen e tij në Facebook, Cakolli ka shkruar se me “konstruktivitet”, Kryesia e PDK-së ta komplekson edhe opozitën në shtetet skandinave.
“Tashmë dihet botërisht se ministri i qeverisë Kurti, Liburn Aliu ka aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare sa ishte drejtor i Urbanizmit në komunën e Prishtinës. E për më keq, ministri Aliu gënjeu para opinionit publik duke thënë se nuk është në dijeni të kësaj aktakuze, kurse vetëm disa orë më vone prokuroria njoftoi zyrtarisht se z. Aliu është intervistuar në gusht të vitit 2019 për çështjen në fjalë”.
“Asnjë prononcim zyrtar për këtë çështje, asnjë aktivitet simbolik, nga deputetët e PDK-së e as nga kryesia e PDK-së. A po ndoshta kanë punë më të rëndësishme se sa të bërit opozitë ndaj qeverisë Kurti”, ka theksuar Cakolli.
Ditë më parë, Cakolli ka thënë që kryetari në detyrë, Enver Hoxhaj, duhet të japë përgjegjësi për rezultatin jo të mirë në zgjedhje të PDK-së.
Ai ka kërkuar që të mbahen zgjedhje të reja brenda partisë, nga të cilat do të dalë edhe kryesia e re.
Edhe anëtari i Këshillit Drejtues të PDK-së, Lirak Çelaj, ka deklaruar publikisht se individë të caktuar e kanë uzurpuar partinë.