Çfarë e shtyri Skënder Hysenin të reagojë pas takimit me Gjuriqin, BE s’jep detaje

Prishtinë | 28 Gus 2020 | 17:09 | Nga Ekonomia Online

Takimi i djeshëm në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel në nivel ekspertësh nuk ka prodhuar rezultate të kënaqshme. Koordinatori i Kosovës për dialogun, Skënder Hyseni, ka thënë se pala serbe është treguar jokonstruktive duke tentuar që të rihapë në tavolinë, çështje për të cilat Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtim.

Megjithatë Peter Stano, nuk ka dhënë detaje për atë se çfarë është diskutuar dje në Bruksel në mes të dy delegacioneve.

Zëdhënësi i BE’së ka thënë se qëllimi kryesor i takimeve në nivel të ekspertëve është që të bëhen përgatitje për takimin e nivelit të lartë që do të jetë në shtator.

“Dje delegacionet janë takuar për të vazhduar dialogun e ndërmjetësuar në nivel të ekspertësh. Ne nuk jemi duke thënë komente shtesë se çfarë po diskutohet, çfarë është në tavolinë dhe çfarë jashtë tavoline. Qëllimi kryesor i këtyre takimeve në Bruksel është përgatitja për takimin e nivelit të lartë në Bruksel që do të mbahet në shtator”, ka thënë Stano në një konferencë për media.

Ai tutje ka thënë se në Bruksel do të diskutohen të gjitha çështjet e hapura dhe do të debatohet për to derisa të mbyllen e të zgjidhen përgjithmonë.

“Do të diskutohet për të gjitha çështjet e hapura. Të gjitha çështjet e hapura do të diskutohen dhe do të mbyllen dhe zgjidhen një herë e përgjithmonë. Kjo është korniza e dialogut dhe synimi kryesor i dialogut. Për çfarëdo që palët janë marrë vesh, duhet të implementohet, dhe çfarë duhet të jetë në tavolinë do të diskutohet. Nëse ka diçka që nuk i takon tavolinës, BE do të sigurohet që do të vazhdojmë ndërmjetësimin në një frymë të mirë, dhe të sigurohemi që palët të jenë në gjendje të vazhdojnë të diskutojnë, dhe të gjejnë zgjidhje për të gjitha çështjet e hapura. Ky është një proces që po vazhdon. Ky dialog do të vazhdojë në nivel ekspertësh dhe në nivel të lartë derisa të gjenden zgjidhje që do të kënaqin të dy palët”, ka thënë Stano.

Stano tutje ka shtuar se nuk mund të jap informacione të detajuara për çdo komunikim të Lajcakut, kur është pyetur nëse emisari i BE’së ka pasur kontakt me Richard Grenell.

“ BE është e fokusuar në ndërmjetësimin e dialogut drejt gjetjes së një marrëveshje. Çdo kush duhet të kuptojë që s’do të ketë detaje për agjendë apo për çdo komunikim. Lajcak ka për detyrë që të jetë në kontakt me këdo që është i rëndësishëm për punën e tij. Ne nuk të japim detaje për telefonatat e tij, bisedat në twitter apo ne Whats app”, ka thënë Stano.

“Në këtë dialog do të diskutohen të gjitha çështjet e hapura për të cilat Kosova dhe Serbia kanë mospajtime. Ne po i ndihmojmë të dy palët që të gjejnë një zgjidhje, të gjejnë një marrëveshje për to dhe që të jenë në gjendje t’i mbyllin ato çështje”, ka shtuar ai.

Derisa në fund ka thënë se SHBA’ja është partner tepër i rëndësishëm i BE’së dhe se kanë qenë bashkë sa herë që e kanë nuhatur që involvimi i tyre sjell diçka pozitive.

Stano ka thënë se shpresojnë që edhe rasti i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë të jetë i tillë.

“BE është e fokusuar për të gjetur një marrëveshje që çon në normalizim të raporteve. Çfarëdo që partnerët bëjnë me palët tjera dhe që ndihmon si mbështetje të dialogut, është një veprim i mirëseardhur. Dhe nëse sjell rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme që ndihmon dy vendet në normalizimin e raporteve është një iniciativë pozitive, dhe sigurisht SHBA është një partner i rëndësishëm. Dhe natyrisht që ne kemi qenë gjithmonë bashkë me SHBA’në sa herë që kanë pasur ndonjë iniciativë që ka ndihmuar procesin. Dhe ky shpresojmë që do të jetë edhe rasti në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka përfunduar ai.

Të ngjashme