Alvaro Morata dhe Gonzalo Higuain po bëhen protagonistë të merkatos ditët e fundit.
Sulmuesi spanjoll nuk po ndihet mirë te Chelsea, ndërsa Higuain është i trishtuar te Milani dhe kjo ka bërë që të ngrihet hipoteza e një shkëmbimi të mundshëm mes tyre, transmeton tch.
Alvaro Morata u transferua nga Reali i Madridit me idenë për të pasur më shumë hapësira dhe pranoi ofertën më të volitshme nga ana financiare, pikërisht atë të Chelsea, por duket se gjërat nuk shkuan sipas planit të tij. Përsa i përket Higuain, argjentinasi ka kohë që nuk po mund të shënojë me Milanin dhe kjo duket se ka shtuar ankthin e tij. Kjo ka bërë që të shtohen dyshimet e kuqezinjve, të cilët mund të lejojnë largimin e sulmuesit për të tentuar rekuperimin e 9 milionë eurove që përbën 50% e pagesës së këstit për huazimin të tij.
Por, shkëmbimi mes Moratës dhe Higuain nuk është aspak i lehtë, përkundrazi është mëse i komplikuar. Kjo për shkak të formës së marrjes së këtyre futbollistëve nga klubet respektive. Milani e ka marrë Higuainin me huazim me të drejtë blerje prej 36 milionë eurosh, ndërsa Blutë e blenë kartonin e Moratës për 80 milionë euro. Në këtë pikë duhet që klubi milanez dhe ai londinez të arrijnë një akord për kryerjen e një shkëmbimi me huazim mes dy lojtarëve që përfshijnë rinegocimet për të drejtën e blerjes.
Te Chelsea, Sarri dëshiron të ketë Higuainin nën urdhrat e tij, ndërsa Milani do Moratën. Raportet mes këtyre dy klubeve janë të mira, ashtu sikurse edhe ato të kuqezinjve me Juventusin, me këtë të fundit që duhet të autorizojë largimin e Higuainit me huazim me bardhezinjtë që mund ta pranojnë këtë lëvizje duke qenë se Chelsea nuk luan në Ligën e Kampioneve.