“Cila është e ardhmja që dëshironi të shihni?” – Zyra e BE-së shpalos programet për të rinjtë në Mitrovicën e Veriut

Mitrovicë e Veriut | 11 Tet 2022 | 18:00 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Shtëpinë e Evropës në Mitrovicë të Veriut, të rinjtë serbë kanë pasur mundë të mësojnë sesi mund të përfitojnë nga mundësitë e shumta që ofrojnë programet e ndryshme të BE-së në Kosovë.

Në diskutimin me temën “Cila është e ardhmja që dëshironi të shihni?”, profesorë, studentë, përfaqësues të organizatave – që kanë përfituar nga projekte të BE-së, kanë ndarë me të rinjtë përvojat e tyre lidhur me programe të studimit, shkëmbimit, trajnimit etj.

Një diskutim i ngjashëm, po të martën është organizuar dhe në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, në kuadër të EU4Youth Days.

Svetlana Jevtic, nga OJQ “Domovik”, ka treguar se ka përfituar nga një projekt katërvjeçar i Zyrës së BE-së dhe tashmë qe tri vjet janë duke e implementuar. Ajo ka treguar se organizata “Domovik” angazhohet për përmirësimin e mekanizmave dhe cilësisë së mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, si dhe pjesëmarrjen më aktive të të rinjve.

“Zyra e BE-së ka mbështetur përgatitjen e planit strategjik të organizatës sonë për vitet 2020-2023. Njëri nga qëllimet strategjike të organizatës sonë është mbështetja në zhvillimin e liderëve të rinj, promovimin e tyre dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre në politikat publike”, tha Jevtic, raporton Ekonomia Online.

Jelena Djokic, profesoreshë në International Business College Mitrovica (IBC-M), ka inkurajuar të rinjtë që të jenë më të hapur për ide të reja, më tolerantë dhe të edukohen e përgatiten për karrierë. “Ne në IBC-M kemi një numër të madh të projekteve ndërkombëtare, përfshirë Erasmus+. Për studentët janë të rëndësishme të gjitha format e projekteve Erasmus+, por ndoshta më i rëndësishmi është promovimi i mobilitetit të studentëve”.

Djokic ka shpjeguar se në kuadër të këtyre projekteve shumë studentë kanë pasur mundësi të shkojnë në universitete partnere dhe të qëndrojnë atje nga dy javë deri në 6 muaj, madje kemi projekte shkëmbimi që zgjasin deri në një vit”.

Sipas saj, këto vizita studimore janë shumë të rëndësishme për studentët, pasi e shohin si studiohet jashtë, si jetojnë të rinjtë e tjerë. “Kur kthehen, ata janë fëmijë të tjerë… I kanë ‘sytë e hapur’, sikur thuhet. E shohin çka nevojitet për sukses dhe për përparim. Dhe më lehtë vijnë deri te punësimi”.

Lidija Aksentijevic, studente, ka treguar se ka vendosur të studiojë në Kolegjin Ndërkombëtar të Mitrovicës, pasi që i ka pëlqyer puna me kompjuterë dhe është optimiste se do të gjejë shumë më lehtë punë pas diplomimit.

Aksentijevic shpreson gjithashtu që të përfitojë nga projekti Ersamus+ “kur të vijë koha”.

Aris Busevac, i cili po ashtu është student në IBC-M, ka folur për gjendjen jo të mirë të të rinjve në Ballkan dhe ëndrrën që ata kanë për Bashkimin Evropian. Ai shpreson që studimet në këtë kolegj do t’i hapin mundësi për punësim e jetë më të mirë.

Të ngjashme