Çmimi i të qenit gazetar në Kolumbi

Prishtinë | 20 Jan 2019 | 10:13 | Nga Ekonomia Online

Nëna, motra, vëllai dhe nipi ishin për vizitë te Leiderman Ortizi në Caucasia, gjatë majit të 2010-s, kur një shpërthim i fuqishëm ndodhi para shtëpisë ku të gjithë ata po flinin.

“Kërceva nga shtrati dhe nisa të bërtas: ‘Mos u ngrini, mos lëvizni’”, kujton Ortizi. “Nëna ime e gjorë po bërtiste. Ishte e tmerruar”.

Për dallim prej shumë atyre që ishin cak i sulmeve të shpeshta me bomba në Caucasia, një qytet i vogël në veri të kryeqytetit kolumbian, Bogota, Ortizi nuk ishte kriminel. Ai vetëm shkruan për ta.

Dhe sulmi i 2010-s ishte i treti prej së paku pesë tentimeve të ditura apo të dyshuara për t’ia marrë jetën 45-vjeçarit. I pari ishte më 2009 në Medellin, kur ai po nisej për në punë dhe një person i armatosur po e priste aty pranë. Ortizi e pa personin dhe e thirri policinë, shkruan “Al-Jazeera”, transmeton “Koha Ditore”. Një vit më vonë, ndodhi sulmi i 2010-s me bombë. Dy ditë pas këtij sulmi, një tjetër bombë u hodh në oborrin e shtëpisë së tij. Vitin tjetër, së paku dy vrasës të dyshuar u pakuan për ta përcjellë Ortizin, por ekipi i tij i sigurisë e shmangu mundësinë e çfarëdo sulmi.

Shkallë enorme vrasjesh

Duke punuar si gazetar në qytetin që përherë ka qenë në epiqendër të konfliktit dhe aktiviteteve kriminale në Kolumbi, nuk është një detyrë e lehtë, pasi që jo pak njerëz do të dëshironin që Ortizi të ishte i vdekur. Ortizi e themeloi të pavarurën “La Verdad del Pueblo” – “E vërteta e qytetit” – dy dekada më parë me synimin që t’i ekspozojë krimin dhe korrupsionin që po e ngufasnin vendlindjen e tij. Ai e drejton vetë gazetën, i nxjerr në pah krimet dhe i fotografon gangsterët e profilit të lartë, boton shkrime për lumenjtë e ndotur dhe për jetën lokale politike.

Kërcënimet ndaj gazetarëve janë gjë e zakontë në këtë vend dhe puna e Ortizit në njërin prej rajoneve më të rrezikshme e shndërron atë në cak të përhershëm. Ai lëviz kudo me katër truproja të armatosur, të paguar nga shteti kolumbian, i cili u ofron mbrojtje individëve që kërcënohen nga dhuna politike. Ama për këtë arsye, familja tani nuk e viziton më kurrë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme