Trajneri Antonio Conte e kishte bërë të qartë para se të hapej afati kalimtar i janarit se dëshiron përforcime në skuadër për pjesën e dytë të sezonit, por tani ka insistuar se zikaltrit nuk kanë buxhet të madh për këtë merkato.
Antonio Conte me skuadrën e tij i kanë bërë konkurrencë Juventusin në pjesën e parë të sezonit të Serisë A, duke u radhitur në pozitën e dytë me vetëm dy pikë më pak se lideri, pas 19 xhirove të para.
Zikaltrit janë ende në garë për ta fituar edhe titullin e Kupës së Italisë dhe Ligës së Evropës, ndërsa agjenda e ndeshjeve do të ngarkohet edhe më shumë gjatë muajit shkurt.
Interi raportohet se është afër transferimit të Christian Eriksenit nga Tottenhami, përkundër që s’është i gatshëm t’i paguajë 20 milionë eurot që kërkohen nga anglezët. Për më tepër, gjiganti italian është interesuar edhe për Ashley Youngun e Arturo Vidalin.
Përkundër këtyre interesimeve të Interit, Conte ka insistuar që Interi nuk ka shumë para për të shpenzuar për transferimin e lojtarëve gjatë këtij afati kalimtar.
“Nuk kemi shumë para, drejtuesit na e kanë bërë këtë gjë të qartë. Ne duhet të jemi të mirë në tentimin për të gjetur situata nga të cilat mund të përfitojmë”, ka thënë Conte.
“Ne duhet të gjejmë opsione të lira, përndryshe do ta kemi shumë të vështirë. Kemi shumë ide dhe, nëse do të kemi mundësi, do të përmirësohemi”.
“Atë që s’mund ta marrësh me para, duhet ta marrësh me inteligjencë dhe urtësi”. /Gazeta Express/