CRCA prezanton projektin e parë të Ligjit për Rininë në Shqipëri

Prishtinë | 28 Sht 2018 | 11:58 | Nga

Qendra për të Drejtat e Fëmijëve Shqipëri (CRCA) në bashkëpunim me Rrjetin Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN) dhe Aleancën për Ligjin e Rinisë sjellin për herë të parë në vendin tonë një paketë të plotë të një projekt-Ligji për Rininë në vend.

Nisur nga ekspertiza e jashtëzakonshme që CRCA Shqipëri ka në hartimin e Ligjeve, si Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Kodi Penal, Ligji për Barazinë Gjinore në Shoqëri, Ligji për Mbrojten nga Dhuna në Familje, Ligji për Mbrojtjen dhe të Drejtat e Fëmijëve dhe Kodi Zgjedhor, në bashkëpunim me Rrjetin Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri – ANYN, ekspertë të fushës dhe një grup të organizatave të shoqërisë civile anembanë vendit kanë punuar për të sjellë Projekt-Ligjin e parë për Rininë në Shqipëri.

Ky ligj rregullon çështjet themelore që kanë të bëjnë me rininë, pjesëmarrjen e tyre në jetën publike,
ushtrimin e të drejtave, si dhe strukturat në nivel qendror dhe vendor, që bëjnë të mundur mbështetjen,
fuqizimin, pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në zhvillimin e jetës shoqërore, politike, kulturore,
ekonomike në vend. Qëllimi i këtij ligji është sigurimi i kushteve të pjesëmarrjes së të rinjve në jetën
shoqërore dhe politike të vendit, garantimi i mbështetjes nga institucionet qëndrore dhe vendore
nëpërmjet ngritjes dhe funksionimit të mekanizmave dhe strukturave rinore në vend.

Projekt-ligji ndër të tjera kërkon të fuqizojë organizatat dhe grupet rinore si mjete të mobilizimit dhe
pjesëmarrjes shoqërore të të rinjve dhe të rejave në jetën demokratike të vendit dhe të përcaktojë
përgjegjësitë e autoriteteve shtetërore, qendrore dhe vendore, për të hartuar politikat dhe buxhetin që
mbështet fuqizimin, pjesëmarrjen dhe zhvillimin e rinisë në vend.

Ligji për Rininë vjen si një paketë e plotë e përbërë nga 24 nene dhe përfshin fushat e zbatimit të tij,
detyrat e Këshillit Kombëtar të Rinisë, mekanizmat institucionalë këshillimorë, koordinues dhe strukturat për rininë, Shërbimi Kombëtar për Rininë dhe buxhetin, detyrat dhe përgjegjësitë e njësive të
vetëqeverisjes vendore, kartën rinore si dhe pjesëmarrjen, fuqizimin e përfaqësimin e të rinjve në
proceset e vendimmarrjes dhe në nivel vendor.

Shqipëria është një ndër vendet e fundit në rajon që ende nuk e kishte një ligj për rininë. Prej vitit 1998
dhe deri më sot, Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve – CRCA Shqipëri ka avokuar me
deputetë, përfaqësues të ministrive përkatëse, Qeveritë dhe Parlamentin për të hartuar një Ligj për
Rininë në Shqipëri.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme