Crvena Zvezda mbërrin në Tiranë, por ka një befasi për ekipin serb

Prishtinë | 24 Gus 2020 | 15:13 | Nga Ekonomia Online

Ekipi serb i Crvena Zvezdës ka mbërritur në tokën shqiptare, me lojtarët që nën masa të rrepta sigurie i janë drejtuar hotelit ku do të qëndrojnë.

Lojtarët dhe stafi i klubit janë vendosur në hotelin “Plaza”, por aty kanë gjetur një befasi interesante. Përballë hyrjes kryesore të hotelit ndodhet flamuri i Kosovës së bashku me disa flamuj të tjerë.

Në kryeqytetin e Shqipërisë, futbollistët, anëtarët e stafit profesional dhe drejtuesit do të kenë një kat të veçantë në hotelin ku ata do të qëndrojnë dhe do të ndahen nga të ftuarit e tjerë.

Tashmë është rezervuar një ashensor, i cili do të jetë në dispozicion vetëm për skuadrën serbe, si dhe një dhomë të veçantë ngrënie.

Për të mos patur ndonjë surprizë të pakëndshme, klubi serb ka kërkuar që të testohen për COVID-19 edhe shoferët që do t’i transportojnë drejt hotelit.

Crvena Zvezda do të kryejë stërvitjen e fundit në “Air Albania” të hënën në orën 19:00, ndërsa para fillimit të stërvitjes pritet që të flasë në konferencë për shtyp trajneri Dejan Stankovic. Për skuadrën serbe nuk do të ketë policë të ardhur nga Serbia pasi lojtarët nuk do të lejohen të dalin nga hoteli në bazë të protokollit të UEFA-s për të evituar infektimin nga covid-19.

Të ngjashme