D4D monitoron “çrregullimet e informacionit në mediet online dhe sociale” – Shumë lajme të rreme për dialogun Kosovë-Serbi

Prishtinë | 29 Pri 2024 | 11:12 | Nga Natyra Salihaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Demokraci për Zhvillim (D4D) ka organizuar tryezë diskutimi me temën “Monitorimi i çrregullimeve të informacionit në mediet online dhe sociale: Narrativat e pavërteta dhe titujt e bujshëm”. Në kuadër të  projektit “Mbulueshmëria dhe kuptueshmëria e çrregullimit të informacionit në Kosovë”, janë monitoruar 110 portale dhe medie të tjera për identifikimin e lajmeve të rreme dhe dezinformatave, raporton Ekonomia Online.

Rrezarta Delibashzade-Krasniqi, drejtoreshë Ekzekutive e Institutit D4D, tha se në këtë monitorim kanë arritur të identifikojnë nëse ka çrregullim të informacionit.

“Fushat kryesore të cilat i kemi mbuluar është dialogu Kosovë-Serbi, pjesa e grave në politikë dhe pjesa e gjuhës së urrejtjes në portale”, tha ajo.

Fitore Rexhepi, gazetare nga Radio Televizioni i Kosovës, tha se televizioni publik duhet të jetë model për mediet e tjera. Sipas saj, ka një lloj gare të brendshme që ekziston mes televizioneve në Kosovë.

“Gjuha e urrejtjes dhe lajmi i rremë e vendos në lajthitje edhe gazetarin. Kemi barrën më të madhe për shkak se jemi televizion publik. Nuk i kuptoj mediet private kur vendosin tituj senzacionalë, i arsyetojnë me klikime dhe financat”, tha Rexhepi.

“Televizioni publik me qenë model sa i përket jopropagandës. Sfida më e madhe sa i përket lajmeve të rreme ka qenë rasti i Banjskës. Është një lloj gare e brendshme që ekziston mes televizioneve”, tha ajo.

Sipas Rexhepit, ajo që mbetet një vështirësi sa i përket mediave është sfida e konfirmimit dhe sfida e eksluzivitetit.

Ndërsa, Arsim Lani, redaktor nga televizioni T7, tha se edukimi medial është baza e një gazetarie të mirëfilltë.

“Titujt duhet të tregojnë rëndësinë e lajmit. Profesionalizimi duhet të dëshmohet. Një rëndësi të madhe duhet ta ketë edukimi medial, është baza që të mos vijmë në lajme të rreme”, tha Lani.

Kurse, Venera Gashi, menaxhere e projektit nga Instituti D4D, tha se atë se çka e konsiderojnë shqetësuese dhe alarmante për lexuesin janë lajmet e rreme dhe teoritë konspirative. Në tre muajt e fundit, janë verifikuar lajme me dezinformata, citime, mendime të personave të caktuar që janë ekspertë në fusha të tyre. Një informatë apo narrativë që u konsiderua shqetësuese ishte edhe lajmi ‘spastrime etnik’ që përdoret nga mediet serbe. Gjithashtu edhe lajmet e vjetra që përsëriten si të reja u konsideruan shqetësuese në vendin tonë”.

Ajo ka përmendur rastin e një artikulli të Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), i vitit 2023 e që është publikuar në janar 2024. Ka qenë artikull lidhur  me kryeministrin Albin Kurti, publikuar nga portali Epilogu.

“Kemi parë ngjyrim të këtij portali ndaj Qeverisë Kurti”, tha Gashi.

Titulli “Ushtria serbe do të hyjë në Kosovë”, publikuar nga portali Orainfo, po ashtu është vlerësuar si dezinformatë nga përmbajtja.

Të ngjashme