Në Ditën e Dëshmorëve, Daut Haradinaj, ka bërë homazhe në nderim të të rënëve për liri. Ai gjithashtu ka veçuar rolin dhe sakrificën e komunës së Deçanit gjatë luftës së viteve 1998–1999.
Në shkrimin e tij ne profilin zyrtar në Facebook, Haradinaj theksoi se Deçani shënon me krenari këtë ditë, duke kujtuar dëshmorët dhe martirët e kësaj ane, ku çdo fshat dhe çdo lagje u përgjak në përballje të drejtpërdrejtë me makinerinë ushtarake jugosllave.
“Qyteti dhe çdo cep i Deçanit u bënë pjesë e sakrificës për liri. Për plot 18 muaj, kjo trevë përjetoi luftime të pandërprera, ballë për ballë me një makineri të egër, por që nuk arriti ta thyejë qëndresën tonë”, u shpreh Haradinaj.
Ai shtoi se ndihet krenar që ishte pjesë e atyre zhvillimeve historike, duke e cilësuar fitoren si rezultat të një vetmohimi të jashtëzakonshëm të popullit të Kosovës.
“Është krenari personale dhe kombëtare të jesh pjesë e një historie që solli lirinë”, theksoi ai.