Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, De Biasi, ka folur në lidhje me eliminatoret e botërorit“Rusi 2018”.
De Biasi ka përfunduar pushimet e tij dhe shprehet se është gati për të nisur aventurën e re –eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”.
Duke folur për emisionin “Tutti Convocati” në “Radio 24”, tekniku italian u shpreh optimist për kualifikimin, ndërsa nuk harroi as batutat për Italinë dhe Spanjën, se cila prej këtyre dy ekipeve do të shkojë në fazën e play-off-it.
“Pushimet sapo i mbarova, jam gati të rifilloj aventurën e re, e re si mënyrë shprehjeje, me Shqipërinë dhe të shohim se çfarë ndodh në kualifikueset e Botërorit duke pasur parasysh se kemi përballë Spanjën dhe Italinë dhe kualifikohet vetëm një direkt dhe tjetra shkon në play-off.
Të shohim cila nga të dyja kalon në play-off. Si batutë nuk është aq keq, të shohim se kush mes tyre shkon ne play-off sepse ne kualifikohemi (qesh). Shpresojmë të kemi vazhdimësi”,-tha De Biasi
Fillimisht Kombëtarja shqiptare do të luajë një ndeshje miqësore me Marokun më 31 gusht në stadiumin e rikonstruktuar “Loro Boriçi”.
Grumbullimi i lojtarëve do të nisë më 29 gusht dhe ndeshja e parë zyrtare e Shqipërisë në eliminatoret e Botërorit do të luhet ndaj Maqedonisë më datën 5 shtator.