Profesori i UBT-së, Nol Deda, në një intervistë për UBT – Radio Campus, ka thënë se, si krejt qytetarët, edhe në UBT janë të shqetësuar me ndotjen e ajrit në Kosovë. Ai ka propozuar masa që do ta ndryshonin gjendjen.
Pasi është pajtuar se automjetet janë ndotësit më të mëdhenj, ka radhitur si ndotës edhe cilësinë e derivateve djegëse, hedhjen e sulfurit në karburante për ta shtuar sasinë, termoelektranat në Obiliq etj.
Për shkaktarin e parë të ndotjes – automjetet, Deda ka theksuar se në territorin e Kosovës 80 për qind e veturave, që hyjnë nga të gjitha vendet e botës janë 17 vjet të vjetra. Në këtë plan, sipas Dedës, Ministria e Financave duhet ta ndryshojnë sistemin e doganimit të automjeteve.
“Nëse taksa doganore për futjen e automjeteve më të reja në Kosovë do të ishte më e ulët e për ato të vjetrat më e lartë, atëherë kjo do të bënte që tregu i Kosovës të freskohej me automjete të reja brenda 10 vjetësh”, ka thënë Deda, sipas të cilit me këtë projekt, Kosovës do t’i zvogëlohej buxheti për 25 milionë euro, porse do të shpëtoheshin shumë jetë njerëzish.
Po ashtu, ka thënë se do të zvogëloheshin aksidentet dhe qytetarët nuk do të helmoheshin nga helmet toksike, të liruara nga automjetet e vjetra. Deda konsideron se situata aktuale e ndotjes së ajrit i obligon qytetarët që të ndërmarrin masa.
“Qytetarët duhet ta kenë parasysh se në momentin që niveli i ndotjes e kalon dyfishin e nivelit të paraparë, ata duhet të vënë maska në gojë”, ka spikatur ai, duke kritikuar institucionet e vendit se nuk merren shumë me këto problem.
“Mungojnë emisione të caktuara, e, qytetarët e Kosovës nuk kanë se nga kush të informohen për gjendjen alarmante”, ka shtuar Deda për të shtuar se matjet e bëra së fundi nga Ambasada Amerikane, kanë dhënë të kuptohet se cila është gjendja reale.
“Nëse qytetarët e mësojnë të vërtetën edhe reagimi do të jetë më i madh dhe do të merren masat e mjaftueshme”, është shprehur ai, për të shtuar se po të bëheshin matjet e duhura të nivelit të ndotjes së ajrit nga ekspertët, Prishtina do të dilte qyteti me nivelin më të lartë të ndotjes, “jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë”.
Si njohës i problemit, Deda bën me dije se është në proces miratimi i ligjit mbi automjetet nga Kuvendi i Kosovës. Por, gjëja kryesore, gjithnjë sipas Dedës, është kontrollimi i hyrjes së automjeteve nga doganat.
“Me këtë masë automjeti nuk do të listohej më si ndotësi më i madh i ajrit në vend”, ka shtuar Deda.
Si masë tjetër parandaluese e ndotjes së ajrit, Deda e konsideron veprimin ligjor që nëpër qendrat e qytetit të ndalohet qarkullimi, pothuajse i tërësishëm i automjeteve, të krijohen hapësira për lëvizjen e këmbësorëve dhe çiklistëve, të rregullohet sinkronizimi i semaforëve etj.
“Për rregullimin e problemit duhet kosto shtesë, vullnet dhe grup ekspertësh”, ka saktësuar Deda, duke zënë ngoje edhe rregullimin e infrastrukturës për shfrytëzimin e trolejbusëve, të cilët në vend të derivateve e shfrytëzojnë energjinë elektrike.