Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, ka deklaruar se formimi i institucioneve të qëndrueshme dhe shmangia e zgjedhjeve të reja kërkon një marrëveshje politike ndërmjet partive parlamentare.
Pwrmes njw postimi nw profilin e tij nw rrjetin social Facebook, Dehari ka thwnw se duke iu referuar aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese KO124/25, Dehari ka thënë se më 26 qershor 2025 Gjykata kishte ritheksuar nevojën që Kuvendi të konstituohej brenda një afati prej 30 ditësh, afat i cili, sipas tij, fillonte nga dita e shpalljes së aktgjykimit.
“Duke u bazuar në aktgjykimin KO124/25, Kuvendi do të duhej të konstituohej më së largu më 26 korrik 2025”, ka thënë Dehari.
Megjithatë, ai ka theksuar se Kuvendi nuk ishte konstituuar as pas përfundimit të këtij afati.
Dehari ka deklaruar se gjatë vitit të kaluar, në thirrjet e tij drejtuar deputetëve të opozitës për të votuar konstituimin e Kuvendit, përgjigjja e tyre ishte se “nevojitet marrëveshje politike”.
Sipas tij, në vendimet pasuese për çështjen e konstituimit, Gjykata Kushtetuese kishte kërkuar që palët të vazhdonin përpjekjet për konstituimin e Kuvendit edhe pas tejkalimit të afatit, duke vlerësuar se nevoja për funksionalizimin e Kuvendit mbizotëronte ndaj afatit.
Ai ka thënë se kërkesa për një marrëveshje politike ishte bërë edhe më e qartë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, kur partitë opozitare kishin insistuar që marrëveshja të arrihej para formimit të institucioneve, në të kundërtën vendi do të shkonte në zgjedhje.
“Ne edhe mund të thërrasim seanca shterpë të cilat vetëm sa i irritojnë qytetarët, mirëpo përvoja nga dy legjislaturat e kaluara na ka mësuar që e vetmja mënyrë për institucione stabile dhe për të evituar zgjedhjet, është përmes një marrëveshjeje politike në mes të partive parlamentare”, ka deklaruar Dehari.
Në fund, ai ka theksuar se në momentin kur të ketë sinjale për një marrëveshje politike që garanton formimin e institucioneve dhe shmangien e zgjedhjeve të reja, vazhdimi i seancës konstituive do të ishte, sipas tij, vetëm një formalitet.
“Momentin e parë që kemi sinjale për marrëveshje politike që siguron formimin e të gjitha institucioneve dhe evitimin e zgjedhjeve, ashtu siç e ka kërkuar edhe vetë Gjykata Kushtetuese në aktgjykimet e vitit të kaluar, pra që palët të merren vesh në vend se të ketë tentativa pa rezultat, thirrja e vazhdimit të seancës konstituive bëhet formalitet ceremonial”, ka thënë Dehari.