Demhasaj: LDK-ja nuk i ka numrat, vota e Pacollit mund ta vendosë fatin e Qeverisë Hoti

Prishtinë | 28 Pri 2020 | 19:30 | Nga Ekonomia Online

Arton Demhasaj nga organizata “Çohu” ka thënë se nuk ka asnjë arsye që kreu i AKR-së Behgjet Pacolli të futet në karantinë kur të arrijë në Prishtinë, i cili tashmë ka arritur nga Lugano i Zvicrës dhe ka ateruar me aeroplanin e tij privat në Tiranë.

“Besoj që Behgjet Pacolli duhet të lejohet të futet në Kosovë pa u futur në karantinë për dy arsye. E para është që Pacolli në vendin ku jeton në Lugano i është nënshtruar rregullave dhe masave të sigurisë të shtetit të Zvicrës karshi Covid-19 dhe arsyeja tjetër është që Pacolli nuk po udhëton me transport publik nga Lugano në Prishtinë, por kërkesa e tij ka qenë që të udhëtojë me aeroplan privat”, ka thënë ai.

“Ne e dimë çfarë sigurie ofron aeroplani privat karshi transportit publik, pasi aty nuk ka kontakt me njerëz që mund të jenë potencialisht të infektuar dhe që ky është qëllimi i karantinimit që u bëhet njerëzve që vijnë nga jashtë”.

Demhasaj, si i ftuar në Info Magazine të Klan Kosovës, i ka cilësuar thirrjet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të disa deputetëve për karantinimin e liderit të AKR-së si politike.

“Është politike. Mendoj që është politike, sepse e dimë se në çfarë situate është skena politike. Njerëzit që marrin vendime në qeveri dhe që janë të Vetëvendosjes mundohen me çdo kusht t’i ndalin njerëzit që kanë vota, si rasti i Behgjet Pacollit që është një votë në Kuvendin e Kosovës. Potencialisht për një votë mund të mos votohet edhe Qeveria Hoti. Është lojë politike”.

Ai ka thënë se këto zhvillime lidhur me koalicionin e ri qeverisës nuk janë ‘dramë artificiale’.

“Koalicioni potencial dhe qeveria që po tentohet të formohet ka shumicë prej 61-62 deputëtesh, pra është në një krizë të tillë që për një votë mund të mos votohet dhe ky është rrezik i madh”.

“Besoj që ka marrëveshje dhe mund të ketë tendenca të rritet numri. Duke marrë parasysh numrin e ministrive dhe kur dihet sa ministri do t’i kenë LDK-ja dhe AAK-ja, Nisma dhe AKR e dinë sa do të jetë hisja e tyre në qeveri. Mund të ketë luftë mes këtyre dy partnerëve se kush të merr më shumë dhe kush më pak”.

“Nuk e kemi të sigurt sa deputetë të LDK-së nuk do ta votojnë qeverinë”.

Por, sa mund të jetë stabile një qeveri me këtë përbërje që potencialisht mund të ketë 64 vota?

“Për dy vjet e gjysmë, qeveria Haradinaj ka funksionuar në këtë mënyrë – edhe me më pak vota. Një qeveri që ka 64 deputetë, nëse i ka, mund të funksionojë pa asnjë problem. Jo gjithmonë duhen 61 deputetë të jenë në seancë për të votuar ligje dhe politika të caktuara, aty duhet shumica e thjeshtë – që është shumica e kuorumit që duhet të jetë 61 deputetë”.

Demhasaj është shprehur i bindur se LDK-ja nuk është e sigurt se do t’i ketë votat e krejt deputetëve të saj, prandaj edhe po kërkon me çdo kusht që t’i ketë edhe votat e AKR-së.

“Problemi është te siguria për t’u futur në seancë për t’u votuar qeveria. Unë mendoj që LDK akoma nuk është e sigurt që janë 64 vota, sepse po të ishte e sigurt do të fillonin procedurat dhe do të caktohej seanca e jashtëzakonshme ku do të votohej qeveria”.

“Unë besoj se problemi më i madh është te deputetët e LDK-së – te ata katër deputetë që s’e kanë votuar shkarkimin e qeverisë. Ata kanë mundur të ndërrojnë mendje, por LDK nuk është e sigurt që të njëjtit nuk mund të ndërrojnë mendje prapë”.

“LDK-ja nuk e ka sigurinë e atyre votave që mund t’i ketë në seancë, prandaj po kërkojnë me patjetër që votat e AKR-së të jenë në seancë”.

Të ngjashme