Demolli: Ndërtimi i ushtrisë, arritje e objektivave të sigurisë kombëtare

Prishtinë | 21 Shk 2017 | 13:11 | Nga

Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, zotëri Haki Demolli mori pjesë në punimet e Samitit të kryetarëve të komisioneve për punë të jashtme, i organizuar nga Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës, me temë ”E ardhmja e Ballkanit në Evropë dhe integrimet euroatlantike”.

Gjatë zhvillimit të punimeve të Samitit, ministri Demolli prezantoi temën “Thellimi i bashkëpunimit në mes të vendeve të Ballkanit drejt integrimit në organizata ndërkombëtare/ tejkalimi i barrierave politike në rajon”, ku u fokusua në dy çështje mjaft të rëndësishme siç janë: Bashkëpunimi dypalësh dhe regjional i MFSK-së, si faktor i rëndësishëm për integrime euroatlantike dhe bashkëpunimi ndërmjet MFSK-së dhe mekanizmave të NATO-s.

“Është fakt i pakontestueshëm së Republika e Kosovës si shtet i pavarur dhe relativisht i ri, mund të jetë e sigurt, e qetë  dhe e orientuar drejt zhvillimit dhe prosperitetit ekonomik, vetëm: po qe se  rajoni, pra shtetet e Ballkanit dhe Evropës janë të sigurta dhe po qe se këto mekanizma janë në rrugë të përbashkët drejt anëtarësimit dhe integrimit në organizata dhe mekanizma rajonalë dhe ndërkombëtarë”, ka thënë Demolli, raporton Ekonomia Online.

Gjithashtu ai theksoi faktin se Republika e Kosovës ka synim të saj strategjik anëtarësimin në strukturat e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, por edhe në mekanizmat tjerë rajonalë dhe ndërkombëtarë të sigurisë.

Ky synim shtoi ministri Demolli është i drejtë, i arsyeshëm dhe i sinqertë, për faktin se Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjërit prej shteteve fqinje, andaj natyrisht që pret edhe prej vendeve të rajonit të zhvillojnë dhe ndjekin një politikë të tillë, e cila është konstruktive dhe nën frymën e bashkëpunimit dhe integrimeve rajonale dhe ndërkombëtare.

Në fund, ministri tha se Republika e Kosovës do të vazhdojë të punojë për sigurinë e saj të brendshme dhe të jashtme, duke shtuar se ndërtimi i Forcave të Armatosura do të ndihmojë në arritjen e interesave dhe objektivat e sigurisë kombëtare.

Përafrimi drejt anëtarësimit në NATO do të ndihmojë shumë Kosovën dhe Forcat e saj të Armatosura që të ndërtohen mbi parimet dhe standardet më të larta të vendeve të Aleancës Veri-Atlantike.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme