Tenderin 8.4 milionësh të Komunës së Prishtinës e fiton i dënuari për mashtrim dhe keqërdorim në Prokurimin Publik

Prishtinë | 15 Mar 2023 | 18:04 | Nga Ekonomia Online

Të mërkurën janë ngritur dyshimet se Komuna e Prishtinës ka dhënë një tender në vlerë prej 8.4 milionë eurove ndaj biznesmenit Naim Sallahu, i cili është i dënuar për mashtrim dhe keqpërdorim në Prokurim Publik.

Komuna e Prishtinës më 24 shkurt kishte rekomanduar dhënien e kontratës ndaj grupit të operatorëve ekonomik “SALLAHU” shpk dhe “ALTIS CONSTRUCTION Ltd” me vlerë prej 8,497,801.66 €.

Fituesi i tenderit për aktivitetin e prokurimit ‘”Ndërtimi i rrugës A – pjesa e Parë”, është shpallur Naim Sallahu.

Sallahu, ishte pronar i ndërmarrjes “Sallahu” sh.p.k. Kësisoj, ai qe dënuar me gjashtë muaj burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë për falsifikim të dokumentit zyrtar.

Dënimi me burgim ndaj tij ishte zëvendësuar me pagesën e gjobës prej tre mijë euro.

Vendimi ishte marrë nga Themelorja më 30 mars të 2018-s. Bazuar në vendimin e Themelores, Sallahu kishte paraqitur një dokument të falsifikuar kinse nuk ka obligime tatimore ndaj ATK-së.

Kësisoj, ai kishte paraqitur ofertën në Ministrinë e Infrastrukturës në tenderin për zgjerimin e rrugën nacionale ‘Nr 9 Segmenti Gjurgjice-Kjevë”.

Themelorja kishte konstatuar se Sallahu nuk i kishte shlyer borxhet siç shihet në vërtetim.

Po ashtu, në vendim thuhej se Sallahu kishte paraqitur 50 punëtorë në kompaninë e tij, kurse në fakt kishte vetëm 29.

Rrjedhimisht, mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara, Sallahu kishte fituar atë tender nga ministria e Infrastrukturës.

Ndërkohë, rrjeti i OJQ-ve AVONET njoftoi sot se sipas ligjit: “Operatori ekonomik nuk ka të drejtë që të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose në ekzekutimin e ndonjë kontrate publike, nëse operatori i tillë ekonomik, ndonjë drejtues, menaxher ose drejtor i saj gjatë dhjetë viteve të kaluara është shpallur fajtor nga një gjykatë kompetente për kryerjen e një vepre penale ose civile duke përfshirë praktikat e korrupsionit, larjen e parave”.

Mes tjerash, AVONET ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të fillojë hetimet për këtë tender të dyshimtë të dhënë nga Komuna e Prishtinës./paparaci

Të ngjashme