I dënuari me 7 vjet burg në vitin 2013 në rastin “Bllaca 2”, Driton Hajdari po trajtohet në QKUK. Driton Hajdari, i dënuari me 7 vjet burg në Rastin “Bllaca 2” është duke u trajtuar në QKUK.
Teuta Hajdari, bashkëshortja e Driton Hajdarit tha për KALLXO.com se burri i saj është në gjendje të rëndë shëndetësore.
“Tash është në spital në QKUK, ai nuk është në gjendje as me u pastru, as me u ushqy. Nuk është në gjendje kurrgjë me bo vet. Ata në burg a nuk pe shohin, a nuk po dojnë me e pa nuk e di”, tha ajo.
Ajo shtoi se ka bërë një kërkesë për lirimin e Hajdarit nga burgu dhe trajtimin në spitalet brenda Kosovës.
“Nuk e kemi caktu jashtë vendit, pa marrë parasysh brenda Kosove e jashtë, na duhet një ilaç për të, kështu që procedurat nuk po nguten, ai ka një sëmundje të rëndë”, tha Hajdari.
Ajo shtoi se ka kontaktuar me avokatin e burrit të saj Albert Jupollin, i cili i kishte thënë se duhet pritur deri të hënën pasi ka hyrë në fuqi një ligj i ri.
Avokati Albert Jupolli tha se kompetencat për lirimin e të mbrojturit të tij i kanë kaluar Gjykatës Themelore të Prishtinës.
“Në hyrje në fuqi të Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, kompetencat për lirimin e Hajdarit, kanë kaluar te gjykatësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë”, tha Jupolli.
Sipas Jupollit, janë mbajtur dy komisione sa i përket procedurave të lirimit për trajtimin e Driton Hajdarit.
“Janë mbajtë dy komisione të tilla njëri nga Shërbimi Korrektues si organ përgjegjës dhe fatkeqësisht mjeku ka thënë se edhe përkundër sëmundjes së tij gjendja e tij është stabile”, tha Jupolli.
Ai shtoi se familjarët kanë kërkuar një raport të mjekëve nga i cili si rezultat ka dalë se gjendja shëndetësore e Driton Hajdarit është duke u përkeqësuar çdo ditë dhe ai duhet të trajtohet.
“Mjekët kanë thënë se gjendja e tij është çdo ditë tu u përkeqësu dhe duhet me u trajtu. Në fakt nuk ka shërim për këtë sëmundje. Për momentin familjarët janë duke u munduar me çdo gjë që t’i japin atij trajtimin e duhur me barna”, tha Jupolli.
Drejtori i Shërbimit Korrektues, Sokol Zogaj tha se rasti i Driton Hajdarit, ka kaluar në kompetenca të gjyqësorit.
“Nga data 27.05.2017 pezullimi i dënimit ka kaluar në kompetencat e gjyqësorit”, tha Zogaj.
Driton Hajdari që nga viti 2013 po vuan dënimin e tij me 7 vjet burg për vrasje të mbetur në tentativë.