Deputetët dhe ministrat që ligjërojnë në UP duhet të dënohen

Prishtinë | 25 Mar 2017 | 10:27 | Nga Kaltrina Zymberi

Deputetët dhe ministrat, por edhe të tjerët që në të njëjtën kohë janë edhe mësimdhënës me orar të plotë në Universitetin e Prishtinës, vazhdojnë të shkelin ligjin.

Të tillët janë përgjegjës edhe për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet sistemi arsimor në vend.

Kështu thotë për Ekonomia Online, kryetari i Komisionit për Arsim, Nait Hasani, i cili thotë se shqetësues mbetet fakti se këta profesorë të cilët po e shkelin ligjin, nuk po ka kush t’i dënojë.

“Ata profesorë që kanë dy puna me orar të plotë nuk i lejon ligji. Andaj të tillët përbëjnë shkelje ligjore por nuk ka kush t’i ndëshkojë. Ndërsa ata që angazhohen në disa universitete që japin mësim, kjo është një gjë e dëmshme sepse nëse një profesor është i gatshëm t’i mbajë disa poste cila është mundësia që ai të ngritë cilësinë, me asistentë e këshilltarë kjo do të thotë që arsimi ka rënë për shkak të moszbatueshmerisë së ligjeve sepse nuk ka kush t’i zbaton. Nuk kemi gjykata, nuk kemi prokurori as edhe një agjencion që i kontrollon. Prandaj arsimi është në gjendje të mjerueshme deri sa nuk bëhet një reformë cilësore për ngritje të arsimit”, ka përfunduar Hasani.

Profesor i cili punonte me orar të plotë ishte edhe kryeministri Isa Mustafa por më 15 maj të vitit kaluar Mustafa është larguar nga lista e pagesave për arsye të pensionimit pasi që ka kaluar moshën 65 vjeçare.

Mirëpo, kjo nuk është e tëra. Hasani thotë se sistemi i arsimit në Kosovë po degradohet edhe për shkak të ndryshimeve të shpeshta të kurikulave.

Ai mendon se ndërrimet kurikulare janë ato që 17 vjet e fundit kanë ndikuar në degradimin e këtij sistemi arsimor.

“Arsimi është në gjendje mjaftë të rëndë në Kosovë. Strategjitë e ndryshme ndërrimet e kurikulave të ndryshme për 17 vjet e kanë lodhë arsimin, e kanë hup vlerën e arsimit dhe kanë krijuar një mundësi mosbesuese brenda arsimit, si edukim si proces dhe si zhvillim”, thotë ai.
Sipas Hasanit, në Kosovë më shumë ka ligje të miratuara se sa ligje të cilat janë të zbatueshme, krejt kjo sipas tij që nëpër ministri ekziston ende burokracia.

“Burokracia nëpër ministri po ndikojnë në zvarritjen e proceseve aktet nënligjore, dhe moszbatueshmëria e tyre po ashtu është një problem. Këtu të na kërkohet të ndërrohen ligjet por njerëzit nuk i zbatojnë, derisa kërkojmë që ligji t’iu përshtatet individëve dhe jo anasjelltas asnjëherë nuk kemi me pasur një arsim cilësor”, ka deklaruar Hasani.

Testi i PISA-së kishte nxjerr Kosovën në nivelin më të ulët të njohurive të nxënësve që i përkasin moshës 15 vjeçare.

Të ngjashme