Deputetët në Prokurorinë në veri, të shqetësuar për ndarjen etnike të lëndëve

Prishtinë | 27 Nën 2017 | 11:06 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë vizituar Prokurorinë Themelore në veri të Mitrovicës. Xhevahire Izmaku, Shkumbin Demalijaj e Sami Kurteshi, bashkë me Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), kanë zhvilluar një takim me kryeprokurorin Shyqyri Syla.

Ky takim organizohet nga KDI-ja me qëllim të rritjes së transparencës dhe fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit gjatë implementimit të marrëveshjeve të dialogut Kosovë-Serbi, raporton Ekonomia Online. Kryeprokurori Syla tha se kanë në dispozicion 21 prokurorë.

“I njoftova deputetët për sfidat që paraqiten gjatë implementimit të marrëveshjes dhe vështirësitë. Gjithçka deri më tash është ka shkon në rregull, nuk kemi telashe. Jemi gjithësejt 21 prokurorë; prej tyre 10 janë serbë, kemi një staf ndihmës prej 24 personave të integruar dhe 24 të shqiptarëve që ishin duke punuar në këtë prokurori”, ka sqaruar ai.

Ai tha se lëndët i ndajmë me short, dhe sipas tij, gjithçka është duke shkuar në rregull.

“Lëndët ndahen sipas rregullores së KPK-së. Nuk kemi ndarje në baza nacionale”.

Syla tha se mbetet sfidë numri i madh i lëndëve, por që pritet që vitin e parë të shohin rezultat e para.

“Marrëveshja i mundëson qasje qytetarëve në drejtësi dhe gjyqtarëve iu krijon kushte të punës. Këtu do të aplikohen ligjet e Kosovës. Ndarja është diçka tjetër, ajo është politike”.

Por, për deputetët shqetësuese mbetet ndarja etnike e lëndëve. Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demalijaj, tha se lëndët që kanë të dyshuar serbë do të gjykohen nga gjyqtarë serbë. Kjo, sipas tij, paraqet problem, ngase lëndët mund të hedhen poshtë.

Por, në këtë drejtim ai pret më shumë punë nga prokuroria që nëse ndodhin raste të tilla të trajtohen në instanca më të larta.

“Pamë vështirësi. Dihet si kanë punuar. Lëndët i kanë shqyrtuar në Vushtrri. Por tani jemi në pjesën veriore; këtu ku do të shqyrtohen të gjitha këto lëndë. Kryeprokurori na njoftoi se lëndët kanë filluar me u nda, përpos një pjesë e lëndëve të vjetra që kanë pasur me herët strukturat paralele, po besoj që ato struktura do të zhbëhen dhe të fillojë funksionimi normal”, tha Demaliaj.

“Ka padrejtësi në këtë drejtim, ngase edhe marrëveshja i ka dhënë hapësirë gjyqtarëve serbë që ata do t’i shqyrtojnë lëndët e serbëve, e shqiptarët të shqiptarëve. Por besoj që prokuroria do të jenë ata që këto lëndë do t’i ndjekin, nëse vlerësohet se ka ndodhur ndonjë element”, shtoi ai.

Edhe deputeti i VV-së, Sami Kurteshi, tha se ndarja etnike që është bërë sa i përket shqyrtimit të lëndëve është diskriminim.

“Diskriminimi është i madh për shkak të imponimit që ka bërë politika. E kjo ka me u zvarrit edhe te puna e prokurorisë dhe gjykatës. Por mbetet të shihet në praktikë se çka do të bëhet”.

Ndërsa deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku, tha se përveç integrimit në sistemin e drejtësisë qytetarët e kësaj ane kanë nevojë edhe për integrimin social.

“Shumë prej tyre nuk i kuptojnë fjalët shqip, apo edhe nuk duan që të flasin, kjo është çështje tjetër. Përkundër të gjitha vështirësive, unë konsideroj se është një hap shumë pozitiv, sepse për herë të parë pas pavarësisë kemi një sistem të drejtësisë funksional”.

Jeta Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se kjo është vizita e tretë e organizuar në terren me deputetët për të parë se si është duke shkuar zbatimi i marrëveshjeve Kosovë-Serbi.

Tri javë më parë është bërë betimi i prokurorëve e gjyqtarëve serbë, sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel, në shkurt të vitit 2015.

Të ngjashme