Kuvendi i Republikës së Kosovës mori pjesë në takimin e Komisionit të Përgjithshëm për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energji, ku u diskutua draft raporti dhe rezoluta me temë: “Roli i energjisë në zhvillimin e qëndrueshëm në Evropën Jug-lindore”, mbajtur sot në Kuvendin e Madh Kombëtare Turk në Ankara.
Delegacionin e Kuvendit të Republikës së Kosovës e përfaqësoi deputetja Hykmete Bajrami, anëtare e delegacionit të përhershëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit për Evropën Juglindore.
Deputetja znj. Bajrami, në fjalën e saj foli për zhvillimet/ gjendjen aktuale në sektorin e energjisë në Kosovë (efiqenca e energjisë dhe energjia e ripërtëritshme, burime tjera të energjisë), në theks të veçantë vuri në pah humbjet dhe sfidat me të cilat është ballafaquar dhe akoma po ballafaqohet sektori i energjisë në Kosovë për shkak të moszgjidhjeve të problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, problem i cili sipas deputetes znj. Bajrami, ka rezultuar me efekte negative dhe jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin dhe më gjerë.
Kryesimin e këtij takimi të përbashkët e bëri Turqia, e cila njëherit ishte dhe nikoqire.
Përveç Kosovës, pjesëmarrës në këtë takim ishin edhe deputetët përfaqësues nga Shqipëria, Turqia, Rumania, Kroacia, Greqia, Mali i Zi dhe Serbia.
Në fund të takimit anëtarët e Komisionit miratuan Raportin dhe Rezolutën. Deputetja e Kuvendit të Kosovës abstenoi për shkak të amendamenteve të propozuara nga Serbia.