Dështimi i Fushë-Kosovës në marrëveshjet me OJQ-të

Fushë-Kosovë | 27 Kor 2022 | 08:42 | Nga Ekonomia Online

“Marrëveshja me OJQ “Ndihmo edhe ti” nuk ishte përfunduar, pasi që për mangësitë e punëve në teren, anëtari i komisionit për mbikëqyrje të marrëveshjes nuk ka pranuar punët që nuk kanë qenë në përputhje me paramasën dhe parallogarinë. Përderisa për Marrëveshjen me OJQ ‘Kuwajti’ komuna nuk ka ofruar dëshmitë për obligimet që rrjedhin nga marrëveshja, përderisa pranimi teknik i objektit ishte në proces”, thekson raporti i Auditorit.

Autoritetet komunale në Fushë-Kosovë nuk kanë zbatuar dy marrëveshje me organizata joqeveritare gjatë vitit 2021, nëpërmjet të cilave do të realizoheshin projekte që do t’ua përmirësonin kushtet e jetës qytetarëve. Njëri projekt që kishte për qëllim ndërtimin e 11 shtëpive për raste sociale në vlerë 130 mijë euro nuk kishte përfunduar, e në tjetrin për ndërtimin e Ambulancës në Sllatinë të Madhe në vlerë 124 mijë euro, kanë munguar dëshmitë.

Telashet në realizimin e këtyre projekteve që ishin në bashkëfinancim mes Komunës dhe OJQ-ve theksohen në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA).

“Për marrëveshjen e bashkëpunimit në mes të Komunës së Fushë-Kosovës dhe Organizatës joqeveritare ‘Ndihmo edhe Ti’, për ndërtimin e 11 shtëpive për raste sociale, vlera e përgjithshme e projektit të planifikuar është 130,000€, kemi identifikuar se mungonin dëshmitë e përcaktuara që ishin pjesë e marrëveshjes si: Dokumentacioni për të drejtën e pronësisë, lejen e ndërtimit; Punët nuk kanë përfunduar sipas marrëveshjes/kontratës, deri më datë 18.05.2022 punët akoma nuk kanë përfunduar për pjesën e financuar nga OJQ-ja”, theksohet në raport.

Bazuar në këtë dokument, përkundër që OJQ kishte dorëzuar një raport pune duke përshkruar punët e përfunduara, ato nuk kishin dokumente përcjellëse, për të siguruar se cilat punë kanë përfunduar nga OJQ.

“Për marrëveshjen e bashkëpunimit në mes të Komunës së Fushë-Kosovës dhe OJQ ‘Kuwait Society for Reliefe&Duart e bamirësisë’, vlera e përgjithshme e financimit 124,000€, për ndërtimin e ambulancës së mjekësisë familjare në Sllatinë e Madhe, nuk janë ofruar dëshmitë të cilat mungonin, që ishin të përcaktuara si pjesë e marrëveshjes, për: Zhvillimin e procedurave dhe procesit të tenderimit; dhe Lejen e ndërtimit. Po ashtu në pagesën për situacionin e parë në vlerë 30,000€ të datës 02.06.2021, mungonte dëshmia e raportit për punët e përfunduara”, thuhet tutje në raportin e ZKA-së. “Marrëveshja me OJQ ‘Ndihmo edhe ti’ nuk ishte përfunduar pasi që për mangësitë e punëve në terren, anëtari i komisionit për mbikëqyrje të marrëveshjes nuk ka pranuar punët që nuk kanë qenë në përputhje me paramasën dhe parallogarinë. Përderisa për Marrëveshjen me OJQ ‘Kuëajti’ komuna nuk ka ofruar dëshmitë për obligimet që rrjedhin nga marrëveshja, përderisa pranimi teknik i objektit ishte në proces”.

Sipas Auditorit, mospërmbushja e obligimeve sipas marrëveshjes, rrit rrezikun në mosarritjen e objektivave të përcaktuara me marrëveshje dhe rrit dyshimin për keqpërdorimin e parasë publike.

Përveç këtyre gjetjeve të ZKA-së, Komunës së Fushë-Kosovës i ka munguar edhe plani vjetor për mbështetje financiare për OJQ-të.

Auditori thekson se Rregullorja mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve, obligon ofruesit e mbështetjes financiare që të përgatisin pjesën e planin vjetor të mbështetjes financiare për OJQ-të më së largu 30 ditë pas miratimit të buxhetit vjetor të Kosovës.

“Komuna edhe pse me buxhet të Kosovës, kishte paraparë që gjatë vitit 2021 të ofrojë mbështetje financiare për projektet dhe programet e OJQ-ve, megjithatë nuk kishte përmbushur kërkesën ligjore për përgatitjen e planit vjetor për mbështetje financiare të OJQ-ve. Mungesa e llogaridhënies në nivelin e duhur nga menaxhmenti për menaxhimin e mirëfilltë të subvencioneve ka ndikuar në mospërgatitjen e planit vjetor për mbështetje financiare”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

E njëjta thekson se mospërgatitja e planit vjetor për mbështetje financiare të OJQ-ve, paraqet mungesë të informatave se cilat fusha do të përkrahen nga komuna, si dhe qëllimet se për çfarë janë të parapara këto mjete.

Auditori ka gjetur se në këtë komunë ka pasur edhe mangësi në menaxhimin e subvencioneve gjatë vitit të kaluar. Buxheti final për subvencione dhe transfere në këtë komunë në vitin 2021 ishte 977,657 euro, prej të cilave ishin shpenzuar 744,990 euro apo 76 për qind. Sipas ZKA-së, ato kanë të bëjnë kryesisht me subvencionet për bujqësi, pylltari dhe zhvillim rural, për kulturë rini dhe sport, shëndetësi dhe përkujdesje sociale, e të tjera.

“Përkundër që Komuna e Fushë-Kosovës kishte rregulloren për ndarjen e subvencioneve të vitit 2013, e njëjta nuk kishte bazë të qartë të kritereve për dhënien e subvencioneve në fushën e bujqësisë, ku si pasojë e kësaj, përzgjedhja/eliminimi i tyre nuk kishte bazë të qartë juridike”, thuhet në raport.

Bazuar në dokumentin e ZKA-së, mangësitë e identifikuara në këto subvencione janë: Në dosjet për mekanizëm bujqësor, motokultivator, serra, pajisje bletare dhe pompë spërkatëse nuk kishte dëshmi të vlerësimit për aplikantët e eliminuar që do të vërtetonte se aplikantët e eliminuar nuk i kishin plotësuar kriteret e përcaktuara në thirrje publike; Personi i njëjtë që kishte përgatitur specifikat edhe paramasën dhe parallogarinë e tenderit ishte anëtar në komisionin e vlerësimit për ndarjen e subvencioneve dhe menaxher i projektit; Komisioni për monitorimin e projekteve kishte bërë monitorim të pjesshëm, vetëm të disa projekteve.

“Mangësitë e paraqitura janë si pasojë e mospërcaktimit të qartë të kritereve në rregulloren e brendshme të komunës për ndarjen e subvencioneve për bujqësi. Mospërcaktimi i qartë i kritereve në rregulloren e brendshme të komunës për ndarjen e subvencioneve për bujqësi, ndikon negativisht dhe krijon vështirësi në menaxhimin e mirëfilltë të subvencioneve dhe vlerësimin e tyre”, thuhet në raport.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar edhe shkelje të tjera të Komunës së Fushë-Kosovës gjatë vitit 2021.

Të ngjashme