Rezoluta e iniciuar nga deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Gëzim Kelmendi, ka dështuar pasi një nga pikat për ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë, nuk është pranuar nga PDK dhe LDK. Këtë e ka konfirmuar vet Kelmendi për lajmi.net.
Në Kuvendin e Kosovës të martën është mbajtur një seancë e jashtëzakonshme ku është diskutuar për arrestimin e drejtorit Rajonal të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Nehat Thaqi, nga autoritetet e Serbisë.
Gëzim Kelmendi, iniciues i kësaj seance, propozoi që të miratohet edhe një rezolutë nga Kuvendi, për lirimin e Thaqit. Ndër pikat e rezolutës, ai ka propozuar edhe ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë në Bruksel, deri në lirimin e nënkolonelit të Policisë së Kosovës.
Kelmendi sot është takuar me përfaqësuesit e Grupeve Parlamentare për të hartuar rezolutën, por e njëjta ka dështuar pasi koalicioni PDK dhe LDK, nuk ka pranuar përfshirjen e kësaj pike. Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, vet deputeti Kelmendi.
“Unë do të dal para Kuvendit ku do të tregoj se rezoluta ka dështuar pasi PDK-ja dhe LDK-ja nuk duan ta votojnë rezolutën, ku përfshihet edhe pika për ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë në Bruksel”, ka thënë Kelmendi.
Ai ka shtuar se nuk ka pranuar që të hiqet kjo pikë nga rezoluta.