Digjitalizimi dhe zgjerimi i linjave, Komuna arsyeton rritjen e çmimeve të biletave të Trafikut Urban

Prishtinë | 01 Kor 2026 | 15:12 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Prishtinës ka arsyetuar rritjen e çmimeve të biletave të transportit publik me procesin e digjitalizimit, zgjerimin e linjave dhe rritjen e kostove operative, duke theksuar se ndryshimet janë pjesë e reformës për modernizimin e trafikut urban, raporton Ekonomia Online.

Drejtori i Drejtorisë së Mobilitetit në Komunën e Prishtinës, Pellumb Bajqinovci, tha se nga 1 korriku kanë hyrë në fuqi tarifat e reja për biletat ditore, javore, mujore dhe format e tjera të pagesës, ndërsa theksoi se synimi është kalimi gradual në sistemin digjital.

“Pas një vendimi të kryetarit Rama për shqyrtimin e biletës, fillimisht asaj ditore të trafikut publik, e cila ka hyrë në fuqi sot, më 1 korrik, kemi ndryshime të tarifave, si të biletës ditore, ashtu edhe të formave të tjera të biletave, atyre javore, mujore e të tjera. Andaj, shtrejtimin, nëse e shohim si koncept, nëse i referohemi arsyeshmërisë së kryeqytetit në fazën e digjitalizimit dhe në fazën ku është duke ndryshuar komplet qasja e trafikut urban ndaj qytetit, atëherë edhe kjo biletë, themi, prej 10 cent ka ndryshuar në kuletën digjitale. Rëndësia e shfrytëzimit të digjitalizimit dhe kuletës, në këtë rast në trafikun urban, bashkëdyzimit të operatorit publik dhe trafikut urban në një tërësi, ka rëndësinë e saj të veçantë”, tha ai.

Bajqinovci tha se digjitalizimi do të krijojë një databazë që do të mundësojë planifikim më të mirë të transportit publik dhe shërbime më efikase për qytetarët.

“Po, sigurisht. Unë e përmenda konceptin tonë realisht në zhvillimin e trafikut, nevojën e digjitalizimit, nevojën e shtimit të linjave të reja dhe komplet të mekanizmit nga dy operatorët që i kemi, dhe kjo krijon një kosto shtesë. Digjitalizimi, kuleta digjitale, përveç asaj që ka koston më të vogël, edhe me rritjen prej 10 centësh, ajo në të ardhmen na krijon databazë, e cila do ta rregullojë përmbajtjen dhe qasjen tonë ndaj qytetarëve. Realisht do ta kemi një shfrytëzim më të mirë, real, më efikas dhe me më pak pritje për të tjerët. Nëse flasim për biletën fizike, në përgjithësi, e cila edhe sot, në kohën moderne, është duke u anashkaluar, ne e kemi ende në sistem, por qëllimi ynë primar është që të kalojmë komplet në digjitalizim. Përndryshe, nëse flasim për kostot që po rriten, mos të flasim vetëm për biletën, por edhe për koston në përgjithësi që e ka kapluar vendin. Ka të bëjë me rritjen e tarifave të karburantit, ka të bëjë me rritjen edhe të kostos operative të trafikut urban dhe të operatorëve. Ata, siç e dini, janë në një fazë ku kemi nënshkruar kontratën edhe me operatorin privat edhe me atë publik, në ndryshimin e shfrytëzimit të autobusëve. Të tjerët, realisht, kanë premtuar se do të marrin autobusë të rinj, e cila e rrit koston për ta përmbushur nevojën që trafiku urban sa më shpejt të jetë modern dhe efikas”, tha ai.

Ai mohoi se vendimi për rritjen e çmimeve lidhet me fushatat politike, duke theksuar se bëhet fjalë për zbatimin e projektit të planifikuar për modernizimin e transportit urban.

“Ka pasur edhe po qarkullojnë fjalë se ka pasur ndikime politike apo pse është bërë para fushatës e të tjera. Kjo nuk ka lidhje as me fushata politike, as me koston që thatë ju fillimisht. Jemi në fazën ku, sipas projektit që e kemi, jemi duke e shtyrë projektin përpara. Jemi në fazën ku digjitalizimi, rritja e linjave, zgjerimi i linjave, e dini shumë mirë dhe keni publikuar sigurisht edhe lajme se shumica e linjave nëpër fshatra dhe qytet jemi duke i zgjeruar. Linjat, domethënë, për 5 kilometra, 10 kilometra, dhe kjo krijon një shtesë të investimeve edhe të harxhimeve. Andaj, pa i marrë parasysh këto që i thatë ju, jemi në fazën e rregullt që ne kemi planifikuar të vazhdojmë me digjitalizim, me ofrime më efikase për qytetarët, që nënkupton edhe shtimin e linjave dhe të autobusëve të rinj”, tha ai.

Sipas tij, vendimi për rritjen e tarifave është marrë pas analizave të ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe pas shqyrtimit të gjendjes financiare dhe operative të projektit.

“Rritja e çmimit ka ardhur pasi që kemi ekipet punuese të ekspertëve, edhe vendorë edhe ndërkombëtarë. Sipas asaj që kemi, rishikimit të buxhetit, pastaj duke e parë edhe databazën që e kemi, edhe financiare edhe operative, kemi ardhur deri te ky përfundim. Kini të sigurt se përditësimi i shtrejtimit të biletave është bërë pas një kohe të gjatë që çmimet kanë qenë të njëjta. Kemi tentuar dhe kemi bërë ndryshime në funksionalizimin e proceseve të tjera brenda projektit. Pjesa e fundit ka qenë shtrejtimi i biletës. Siç e dini edhe ju, ne e kemi revitalizuar edhe një pjesë të autobusëve, kemi krijuar rrugë të reja, kemi krijuar stacione dhe kemi dhënë mundësi sa më shumë që ky projekt të vazhdojë me koston reale. Mirëpo, ndryshimi që i përmenda më herët ka çuar deri te kjo, që është pjesë e vazhdueshmërisë së projektit”, tha ai.

Bajqinovci shtoi se të dhënat e mbledhura përmes sistemit digjital po shfrytëzohen për planifikimin e linjave dhe përmirësimin e shërbimeve.

“Kemi informata, sigurisht, kemi databazën dhe, në bazë të asaj databaze që e kemi, kemi parë edhe lëvizshmërinë e qytetarëve që e shfrytëzojnë trafikun urban. Kemi parë se disa linja kanë qenë të ngarkuara, disa kanë nevojë për shtesa dhe këto të dhëna na ndihmojnë që në të ardhmen, nëse kemi më shumë të dhëna, do ta kemi në funksionim më të mirë trafikun urban, do të japim shërbime më efikase dhe shërbime më të shpejta”, tha ai.

Nga 1 korriku kanë hyrë në fuqi tarifat e reja të transportit publik. Bileta fizike njëdrejtimëshe kushton 80 centë, ndërsa ajo e blerë përmes kuletës digjitale ose SMS-së 60 centë. Bileta ditore fizike është rritur në 1 euro e 20 centë, ndërsa ajo digjitale kushton 1 euro. Ndryshimet përfshijnë gjithashtu biletat javore, mujore, vjetore, korporative dhe ato për linjën e Aeroportit.

Të ngjashme