Autoritetet tatimore të Britanisë së Madhe kanë njoftuar se disa persona të cilët punojnë në futbollin profesionist janë arrestuar si të dyshuar për evazion fiskal, raporton Anadolu Agency (AA).
Agjencia britanike e të Ardhurave dhe Doganave (HMRC) thotë se inspektorët e saj kanë kryer arrestime pas bastisjeve në lokalet, në verilindje dhe në jug të Anglisë, duke mos treguar se cilat klube janë përfshirë në hetim. HMRC deklaroi se të mërkurën në mëngjes, 180 zyrtarë të saj ishin shpërndarë në të gjithë Anglinë dhe në Francë.
Nga agjencia bëjnë të ditur se operacioni është kryer me ndihmën e autoriteteve franceze të cilat kanë kryer disa arrestime dhe bastisje të disa lokacioneve.
Nga HMRC kanë thënë se ky hetim penal “dërgon një mesazh të qartë se, kushdo që të jeni, pra nëse keni bërë mashtrim tatimor mund të prisni që të përballeni me pasoja”.
Mediat britanike kanë raportuar se si pjesë e hetimit janë bastisur zyrat e Newcastle United në stadiumin St. James dhe West Ham United në stadiumin olimpik në Londër.
Sipas të njëjtit burim në mesin e të arrestuarve është edhe Lee Charnley, drejtori i përgjithshëm i Newcastle.